Shtesa natyrore e popullsisë, për tremujorin e dytë të vitit 2021 ka pësuar një rënie po ta krahasojmë me të njejtën periudhë të vitit 2020. Instituti i Statistikave ka publikuar “Treguesit Demografikë” për 3-mujorin e dytë të vitit, duke evidentuar se për këtë tremujor, ndryshe nga tremujori i parë, kemi një tejkalim të numrit të lindjeve mbi atë të vdekjeve. Numri i lindjeve për tremujorin e parë të 2021 u regjistrua në 5.993, duke shënuar një rënie me 10.6%, ndërsa ai i vdekjeve rezulton 5. 777, duke shënuar një rritje prej 7.3% krahasuar me tremujorin e parë të 2020-ës.
“Scan Intelligence Unit” ka analizuar lindjet sipas qarqeve, ku shihet, se vetëm dy qarqe të vendit kanë shënuar rritje të numrit të lindjeve, ndërsa në dhjetë të tjerat numri i lindjeve është ulur. Në tremujorin e dytë 2021, numri më i madh i lindjeve regjistrohet në qarkun e Tiranës, me 1. 999 lindje, megjithatë krahasuar më të njejtën periudhë të një viti më parë kryeqyteti ka pësuar një rënie me gati 10%. Qarku me numrin më të vogël të lindjeve është ai i Gjirokastrës me 93 lindje, dhe gjithashtu, Gjirokastra shënon dhe rënien më të madhe në përqindje me 31.3%. Rritjen më të madhe në përqindje të lindjeve, gjatë tremujorit të dytë 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020 e zë qarku i Kukësit, me 11,5 %.
Në tremujorin e dytë 2021 tre qarqe të vendit kanë shënuar ulje, ndërsa nëntë qarqet e tjera kanë shënuar rritje të numrit të vdekjeve, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020. Në tremujorin e dytë 2021 numri më i vogël i vdekjeve regjistrohet në qarkun e Kukësit, me 125 vdekje, ndërsa ai më i madh në qarkun e Tiranës, me 1.409 vdekje. Rritjen më të madhe në përqindje të lindjeve, gjatë tremujorit të dytë 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit më parë e zë qarku i Kukësit, me 11,5 %. Uljen më të madhe në përqindje të lindjeve, gjatë tremujorit të dytë 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020 e zë qarku i Gjirokastrës, me – 31,3 %.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments