Sociale

Lagjet periferike, “streha” e çifteve të reja/ Tiranë, “Kashari”, “Fresku” dhe “Farka” me më shumë martesa, në lagjet e vjetra po zhduken kurorëzimet

0

Të dhënat demografike nga Bashkia e Tiranës të përpunuara nga “Scan Intel”, tregojnë se numri i martesave në Tiranë është rritur me 9.3%, krahasuar me vitin 2020. Pavarësisht rritjes krahasuar me vitin e pandemisë, numri i martesave përgjatë vitit 2021 është më i ulët se në vitin 2019-të. Shifrat tregojnë se gjatë vitit 2021 regjistrohen 3,822 akte martesore, ndërkohë që në vitin 2020 regjistroheshin 3,498 të tilla. “Scan intel” i ka analizuar të dhënat sipas njësive administrative, ku vihet re se kontributin më të madh në numrin total të martesave të kryera e ka njësia “Kashar” me 382 kurora. Kjo njësi ndiqet nga “21 Dhjetori” dhe “Qyteti Studenti” me 335 dhe 309 martesa respektivisht. Nga ana tjetër, njësitë të cilat kanë regjistruar më pak martesa gjatë vitit 2021 janë njësitë e reja si “Shëngjergj”, “Krrabë” dhe “Bërzhitë” me 10, 17 dhe 21 akte martesore përkatësisht.

Ndër të tjera “Scan Intel” e ka analzuar numrin e martesave për 1000 banorë për të kuptuar në mënyrë më të qartë se si qëndron numri i tyre në raport me popullsisë. Kështu, nga të dhënat e përpunuara del se njësia “Zall Bastar” ka numrin më të lartë të martesave me 7.8 martesa për 1000 banorë. Njësia “Kashar” është njësia e dytë me numrin më të lartë të akteve martesore për 1000 banorë, me 6.6 të tilla, ndjekur nga njësia “Pezë” me 6 martesa. Nisur nga të dhënat del në pah se njësitë e reja kanë numrin më të lartë të kurorave për 1000 banorë, pasi përfaqësojnë edhe disa prej zonave më të preferuara të Tiranës së viteve të fundit, sidomos sa i p%rket familjeve të reja, si “Astiri” apo “Fresku” dhe “Farka”. Nëse do të analizonim vetëm lagjet e vjetra të Tiranës, shohim se “Lapraka” ka numrin me të madh të martesave për 1000 banorë, me 4.6 dhe më pas vijon në renditje “Kinostudio” me 4.6 martesa për 1000 banorë dhe “Ali Demi” me 4.5 martesa. Por cilat janë lagjet të cilat kanë numrin më të ulët të martesave për 1000 banorë? “Myslym Shyri” dhe “Tirana e Re” regjistrojnë numrin më të vogël të martesave për 1000 banorë gjatë vitit 2021 me 3.2 dhe 3.5 martesa respektivisht. Theksojmë se mesatarja e Tiranës gjatë vitit 2021 rezulton në 4.4 martesa për 1000 banorë. Këto të dhëna janë në linjë me shifrat e zhvendosjes së popullsisë sipas lagjeve në Tiranë (shiko këtu) dhe atyre të moshës mesatare (shiko këtu).

Numri i martesave në Tiranë ka ndjekur një trend rënës sidomos gjatë tre viteve të fundit, tregojnë shifrat nga Bashkia e Tiranës. Të dhënat e paraqitura grafikisht tregojnë se viti 2020 dhe viti 2021 regjistrojnë numrin më të vogël të martesave që nga viti 2013-të. Kjo tendencë ka ardhur kryesisht nga shtyrja e celebrimeve dhe rënia e planifikimeve për shkak të COVID-19. Megjithatë, të dhënat e vitit 2019-të mbi numrin e akteve martesore tregojnë se tkurrja e martesave ka ndodhur edhe përpara pandemisë, çka reflekton plakjen e popullsisë dhe emigracionin e lartë.

Në vijim të analizës “Scan Intel” po ashtu ka analizuar ndryshimin vjetor të akteve martesore sipas lagjeve, nga viti 2020 në vitin 2021. Rritjen më të lartë të numrit të martesave e ka njësia “Krrabë” me 54.5%, ndërsa rënien më të lartë të këtij treguesi e ka njësia “Kombinat” me 11.3%. Nëse do të referoheshim vetëm në lagjet e vjetra të Tiranës shohim se rritjen më të lartë e ka “Ali Demi” me 31.3%, ndjekur nga “Ish Kinema 17 Nëntori” me 24.5%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Vlora, qyteti më i prekur nga kriza e çmimeve/ Regjistron rënien më të madhe të kursimeve, me 3 mln euro. Kryeqytetasit janë pasuruar me 105 milionë euro

Postimi mëparshëm

Bien normat e interesit të kredive gjatë qershorit/ Për shtëpi në euro fiksohet në 2.88% , norma për overdraft me rënien më të lartë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.