Norma e huave me probleme ndaj totalit ka zbritur në 5.65% gjatë muajit të fundit të vitit të kaluar, nga 6.2% që ishte gjatë muajit nëntor. Kjo është rënia mujore më e lartë që prej muajit qershor të të njëjtit vit, me 0.55 pikë. Ndër të tjera, në harkun e një viti, ky tregues ka pësuar një rënie me 2.46 pikë përqindje. Shifrat tregojnë se norma e kredive me probleme qëndron pranë nivelit më të ulët që prej nëntorit të vitit 2008, duke vijuar t`i afrohet edhe më shumë këtij objektivi, si dhe duke regjistruar muajin e 11-të me radhë në rënie. Përkundër të gjitha pritshmërive dhe parashikimeve, huatë me probleme me pandeminë kanë regjistruar një rënie progresive, duke sinjalizuar jo vetëm një shëndet të mirë të sektorit bankar, por edhe një aftësi paguese të shëndoshë të individëve dhe biznesit. Kjo ecuri pozitive ka ardhur pavarësisht krizës së rëndë ekonomike të shkaktuar nga pandemia.
Kujtojmë se treguesi i kredive me probleme është ndër më të rëndësishmit në shëndetin financiar bankar, si dhe që në muajt e fundit, i është rikthyer për herë të parë niveleve të parakrizës financiare globale. Në vitin 2014 ky tregues u ngjit në 25%, duke u kthyer në një problem serioz për bankat, si dhe duke e vendosur Shqipërinë të fundit në rajon në këtë drejtim.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments