Financë

Korriku pakëson kursimet në bankë/ Depozitat bien me rreth 5 milionë euro. Në 7 muaj “avulluan” 6 miliardë lekë

0

Të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë sinjalizojnë se, totali i depozitave në sektorin bankar në vendin tonë ka rënë lehtë gjatë muajit korrik të këtij viti, me rreth 567 milionë lekë, që përkthehen në rreth 4.8 milionë euro. Depozitat në paranë e gjerë fiksohen pranë rreth 1.24 trilionë lekëve, në rënie me 0.04% krahasuar me muajin qershor të këtij viti. Kështu, totali i depozitave i është rikthyer rënies pas disa muajsh me radhë në rritje të lehtë, pavarësisht faktit se korriku korrespondon me një periudhë të vitit të “begatë” si për bizneset, për arsye të flukseve të larta të turistëve, ashtu edhe për familjet, si pasojë e ardhjes së emigrantëve dhe remitancave.

Nga ana tjetër, shifrat zyrtare tregojnë gjithashtu se, në rënie janë regjistruar vetëm depozitat në lekë, me rreth 1.38 miliardë lekë, ose rreth 11.8 milionë euro më pak se muaji qershor i këtij viti. Depozitat në lekë reflektojnë edhe situatën aktuale, me rritjen e çmimeve, duke qenë se korrespondojnë edhe me shtresat më vulnerabël të popullsisë dhe biznesit, pra që nuk kanë të ardhura në valutë. Depozitat në lekë regjistroheshin me tkurrje të ndjeshme për 4 muaj me radhë gjatë periudhës shkurt-maj të këtij viti, duke regjistruar një rritje të lehtë vetëm gjatë muajit qershor. Por, me çfarë tregojnë shifrat e korrikut, kjo tendencë është zhbërë sërish. Gjatë të gjithë këtij viti, depozitat në lekë kanë rënë me rreth 7 miliardë lekë, ose rreth 60 milionë euro, duke u regjistruar në rënie për 5 muaj ndër 7 të tillë për periudhën janar-korrik. Asnjëherë më parë, që prej vitit 2007 kur të dhënat janë publike nuk është regjistruar një situatë e tillë, me 5 muaj ndër 7 me depozitat në tkurrje.

Sa i përket depozitave në valutë ndërkohë, ka ndodhur krejt e kundërta, ashtu siç është vënë re thuajse gjatë të gjithë vitit. Gjatë korrikut, depozitat në valutë janë rritur me rreth 816 milionë lekë, çka përkthehet në rreth 7 milionë euro. Për shkak të konvertimit në lekë për çështje statistikash, depozitat në lekë me shumë gjasa janë rritur me një hap edhe më të shpejtë, por zhvlerësimi i euros ka nxitur një rritje edhe më modeste.

Rënia e depozitave në sektorin bankar, në kulmin e sezonit turistik duket të jetë rrjedhojë e situatës që po kalon vendi, me krizën e çmimeve që ka goditur jo vetëm familjet por edhe pjesën më të madhe të bizneseve.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shqiptarët “nuk pyesin” për çmimin e karburantit/ 3 në 4 makina të blera këtë vit punojnë me naftë, rritet pesha, “braktisen” makinat me gaz

Postimi mëparshëm

Comments

Comments are closed.