Konflikti Ukrainë-Rusi së fundmi, por edhe situata gjatë vitit të kaluar me efektin e pandemisë, kanë nxitur një rritje të ndjeshme të çmimit të drithërave në nivel global, por edhe në Shqipëri, gjë që është reflektuar edhe te konsumatori final me rritjen e çmimit të bukës dhe të gjitha produkteve të brumit. Varësia e Shqipërisë nga importi është në masën 35% të konsumit dhe Rusia qëndron në vend të parë, e ndjekur nga Serbia, Franca dhe Ukraina. Ndërkohë, 65% e kërkesës mbulohet nga prodhimi vendas. Por, cilat janë qarqet e vendit që japin edhe prodhimin më të madh të drithërave? “Scan Intelligence Unit” ka analizuar shifrat zyrtare, për t`i dhënë përgjigje kësaj pyetje.
Shqipëria gjatë vitit 2020, periudha e fundit kur të dhënat janë publike ka prodhuar rreth 684 mijë tonë drithëra, ku përfshihet: gruri, misri, elbi, tagjia dhe thekra. Saktësist ¼ e prodhimit e mban mbi “shpatulla” një qark i vetëm dhe ai është qarku i Fierit. Ky qark ka prodhuar rreth 170 mijë ton drithëra gjatë vitit 2020, ose 25% të totalit të të gjithë vendit. Në vend të dytë ndërkohë ndjek qarku i Elbasanit, me 15% të totalit, ose rreth 100 mijë ton prodhim. Korça ndërkohë mban vendin e tretë, me rreth 12% të totalit. Pra, këto 3 qarqe të vendit duket se zënë më shumë se gjysmën e prodhimit vendas të drithërave. Këto tre qarqe prodhojnë rreth 348 mijë ton drithëra në vit, një shifër që është thuajse sa ajo e importit, që fiksohet në 364 mijë tonë në vit. Në terma më të thjeshtuar, pra duke llogaritur prodhimin vendas dhe importin, tre qarqet në fjalë, Fieri, Elbasani dhe Korça, mbulojnë 33% të konsumit vendas. Vetëm qarku i Fierit mbulon 16.2% të kërkesës vendase. Qarku i Vlorës ndërkohë ndjek në renditje, me rreth 54 mijë ton prodhim në vit, ose 8% të totalit. Renditja pason me Shkodrën, Tiranën dhe Dibrën, me secilën që zë nga 7% të prodhimit vendas. Në vend të fundit të tabelës ndërkohë, gjëjmë Gjirokastrën dhe Kukësin, me nga 2% secila.
Ndërkohë, po të llogarisim vetëm prodhimin e grurit vëmë re se, varësia nga këto tre qarqe “thellohet” edhe më tej, me Fierin që prodhon 29% të totalit, Korçën 20% dhe Elbasanin 16%, për një total prej 65%.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments