Financë

Energjia elektrike, rekord kreditimi/ Shkurti, 6 herë më e lartë se mesatarja historike, kredia e re për sektorin

0

Të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë në lidhje me kreditimin sipas aktiviteteve tregojnë se disa prej tyre kanë prekur rekorde. Kështu, shifrat e huasë së re për shkurtin tregojnë se kredia për sektorin e “energjisë elektrike, furnizimit me gaz, avullit dhe ajrit të kondicionuar” ka prekur nivelin më të lartë historik krahasuar me muajt shkurt të 7 viteve të fundit. Për këtë sektor, kredia e re gjatë muajit të dytë të vitit fiksohet pranë 1.38 miliardë lekëve. Ndërkohë, më parë rekordi fiksohej pranë vetëm 558 milionë lekëve. Krahasuar me mesataren historike të muajit shkurt, kredia e re për sektorin gjatë 2022-shit është mbi 6 herë më e lartë. Gjatë muajve të dimrit ky sektor karakterizohet nga një kreditim mjaft i ulët, ndërkohë që kulmon gjatë muajve të verës, çka sinjalizon se kërkesa për financim vjen kryesisht nga sektori i energjisë elektrike, kryesisht hec-eve të vogla, duke qenë se bëhet fjalë për kreditimin ndaj sektorit privat.

Edhe sektori i ndërtimit regjistron një rekord sezonal, me rreth 2.56 miliardë lekë kredi të re gjatë shkurtit, ndërkohë që rekordin e mëparshëm e mbante muaji shkurt i vitit 2019, me rreth 2.46 miliardë lekë kredi të re. Kjo rritje e ndjeshme e nevojës për financim nga ndërtimi duket se është rrjedhojë e vrullit që po përjeton ky sektor. Ndërtimi ndër të tjera pozicioniohet në vend të dytë pas tregtisë sa i përket sektorëve që kryesojnë portofolin e kredisë së re të sektorit bankar gjatë muajit shkurt.

Ndërkohë, rekord regjistron edhe “akomodimi dhe shërbimi ushqimor”, me rreth 984 milionë lekë hua të re gjatë shkurtit, “informacioni dhe komunikacioni” me rreth 191 milionë lekë, si dhe “arsimi” me rreth 157 milionë lekë kredi të re.

I gjithë sektori privat jo financiar gjatë shkurtit ka marrë rreth 12.1 miliardë lekë kredi të re, sinjalizojnë shifrat zyrtare nga Banka e Shqipërisë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shqiptarët, ata që kursejnë më shumë në rajon?! Banka Qendrore e Austrisë: Rreth 30% e shqiptarëve kursejnë rregullisht mbi 300 euro në muaj

Postimi mëparshëm

Familjet shqiptare, 223 mln euro më pak konsum/ Impakti i pandemisë, konsumi ra mesatarisht me 242 euro në vit për familje gjatë 2020-ës

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.