Financë

Si ka ndryshuar qasja ndaj lekut me pandeminë? – Më pak depozitime dhe më pak tërheqje nëpër banka, por më shumë para virtuale

0

Të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se numri i kartave të emetuara nga bankat që operojnë në vendin tonë gjatë tremujorit të tretë të vitit , ka prekur një rekord të ri, prej rreth 1.27 milionë të tillave, në rritje me 5.49% krahasuar me fundin e vitit të kaluar. Në rast se edhe tremujori i fundit i vitit do të ruajë të njëjtin ritëm rritje, atëherë norma do të ngjitet mbi 7% në fund të 2020-ës, çka do të bënte që ky vit të ishte ai me rritjen më të shpejtë që prej 2015-ës. Tendenca duket të jetë edhe rrjedhojë e situatës që po kalon vendi dhe bota, me pandeminë që po nxit njerëzit të orientohen më shumë drejt parasë virtuale. Shifrat tregojnë po ashtu se, për herë të parë që prej vitit 2004 kur edhe Banka e Shqipërisë mbledh këto të dhëna, ka rënë numri i emetimit të kartave të kreditit. Tendenca vihet re përgjatë tremujorit të dytë dhe të tretë të këtij viti dhe sinjalizon se mund të jetë rrjedhojë e drejtpërdrejtë e uljes së aktivitetit ekonomik përgjatë kësaj periudhe kohore, si pasojë e masave të parandalimit të përhapjes së virusit.

Të tjera të dhëna ndërkohë, tregojnë se, transaksionet brenda bankave, sidomos ato të depozitimit të parave cash dhe ato të tërheqjes së parave cash, kanë rënë pranë rekordit historik. Në rast se edhe tremujori i fundit i vitit do të ruajë të njëjtën tendencë, atëherë, tërheqja e parave në llogari në banka si dhe depozitimi i parave, pritet të prekë nivelin më të ulët historik, që prej vitit 2008, periudhë nga e cila nis raportimin Banka e Shqipërisë. Të dhënat i referohen transaksioneve si për individë ashtu edhe për biznese, çka do të thotë se rënia është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e ngadalësimit të aktivitetit ekonomik përgjatë pandemisë.

Duke parë të dhënat vetëm të individëve për këtë vit, vëmë re se, gjatë tremujorit të tretë kemi një rritje të ndjeshme të depozitimeve dhe tërheqjeve cash, si krahasuar me tremujorin e dytë, kur ekonomia ka qenë e gjitha thuajse e paralizuar, ashtu edhe krahasuar me tremujorin e parë të vitit. Gjatë tremujorit të tretë, individët kanë depozituar 133 mld lekë nëpër banka, nga rreth 94 mld lekë të tremujorit të dytë dhe nga rreth 119 mld lekë të tremujorit të parë, ndërkohë që kanë tërhequr rreth 94 mld lekë, nga rreth 73 mld të T2 dhe 80 mld lekë të T1, thonë shifrat zyrtare nga Banka e Shqipërisë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shpërndarja e virusit sipas qarqeve – Tirana, Gjirokastra dhe Lezha me më shumë raste për 1 mijë banorë, Durrësi, Elbasani dhe Dibra, me më pak

Postimi mëparshëm

Të fitosh nga paraja! Normat e interesit të depozitave, mesatarisht 0.7% në lekë, dhe 0.18% në euro

Postimi vijues

Comments

Leave a reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.