Sociale

Si ka ndikuar pandemia në marrëdhënien e shqiptarëve me teknologjinë?

0

Në mënyrë të pashmangshme pandemia COVID-19 ka përshpejtuar nevojën për një përdorim më të madh të teknologjisë së informacionit. Nevoja për tu informuar rreth rreziqeve të mundshme nga virusi, por edhe procesi i karantinimit kanë bërë që përdorimi i teknologjisë së informacionit të rritet ndjeshëm. Instituti i Statistikave ka publikuar rezultatet e Anketës së Përdorimit të Teknologjisë së Informacionit, ku sipas saj gjatë vitit 2020 e kanë përdorur internetin 72,2% e popullsisë, nga grup-mosha 16-74 vjeç.
Përqindja e familjeve shqiptare që kanë akses në internet është 83,3%, krahasuar me 82,2% të një viti më parë. Pra ky tregues ështe rritur me 1.1 pikë përqindje gjatë vitit të pandemisë.

Sipas të dhënave, sa i përket pajisjeve kryesore që janë përdorur për të hyrë në internet, vendin e parë e mban aparati celular, i ndjekur nga laptopi. Krahasuar me vitin 2019, gjatë vitit 2020 përdorimi i aparatëve celularë është rritur me 0.2 pikë përqindje, ndërsa i laptopëve me 0.7 pikë përqindje. Kjo rritje e përdorimit të pajisjeve vjen dhe si pasojë e mbylljes së shkollave gjatë vitit 2020 për shkak të pandemisë. Mësimi i zhvilluar online ka bërë që të rritet përdorimi i pajisjeve dhe rrjedhimisht po ashtu ka bërë që të rritet dhe aksesi në internet.

Mes të tjerash, pas shpërthimit të pandemisë Covid-19 dhe vendosjes së masave kufizuese, shumë detyrime të qytetarëve u desh të kryhen online nëpërmjet internetit me autoritetet publike. Përdorimi i e-qeverisjes është rritur ndjeshëm krahasuar me vititn 2019, ku rritja më e lartë është shënuar për kategorinë “marrjen e informacionit nga faqet ose aplikacionet e internetit” me 13,1 pikë përqindje, nga 15.1% në 28.2%. Gjithashtu një rritje të ndjeshme kanë pësuar dhe shërbimet si “Shkarkimi apo printimi i formularëve zyrtarë” dhe “Dërgimi i formularëve të plotësuar nëpërmjet internetit”.

“Scan Intelligence Unit” po ashtu ka analizuar të dhënat e “INSTAT” mbi blerjet online. Gjatë vitit 2020, 19,5% e popullsisë kanë kryer blerje online, duke u rritur kështu me 9.4 pikë përqindje krahasuar me vitin 2019. Sigurisht që kjo rritje i atribuohet pandemisë dhe kjo mbështetet nga një rritje e ndjeshme në grupin e produkteve “Ilaçe, suplemente dhe vitamina” dhe po ashtu një rritje e lartë është regjistruar dhe në kategorinë “Ushqim dhe pije”. Duhet përmendur se rritja vërehet në të gjitha kategoritë e produkteve.

Po ashtu sa i përket blerjeve nëpërmjet internetit, sipas gjinisë, gjatë vitit 2020, gratë kanë shfaqur preferenca në blerjet për “produkte shtëpiake”, “produkte për kujdes personal, kozmetikë” si dhe “produkte për fëmijë apo lodra për ta”. Ndërkohë burrat kanë kryer blerje online për: “të mira dhe mallra sportive”, “shërbimet e ushqimit nga restorante” si dhe “filma, serial apo DVD etj.”

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Kujdesi shëndetësor online, Shqipëria në fund të Europës. Eurostat publikon sondazhin

Postimi mëparshëm

Çfarë është “Albcontrol”? Kompani me MFE ortake të vetme. Del me humbje dhe paguan 10 mld euro në vit për personelin

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.