Financë

Sa lekë në muaj tërheqin Shqiptarët nga ATM-të? BSH: 23 mld lekë gjatë Majit. Rriten pagesat pa “para në dorë”

0

Shifrat më të fundit nga Banka e Shqipërisë, sa i përket instrumentave të pagesave, tregojnë se numri i transaksioneve nëpër terminalet POS dhe ATM gjatë Majit është rritur krahasuar me muajin Prill 2022. Sa i përket numrit të transaksioneve të tërheqjeve nga pikat e ATM, fiksohen në 1.7 mln veprime tërheqjesh dhe 47 mijë veprime depozitimesh. Ndërkohë, në vlerë, shqiptarët kanë tërhequr 23 mld lekë gjatë muajit Maj ose 192 mln euro dhe kanë depozituar 2,5 mld lekë, ose 21 mln euro. Kështu, mesatarisht një transaksion tërhëqje në Maj, vlen 13,501 lekë. Në numër transaksionesh rritja në nivel tërheqjesh fiksohet në 1.04%, ndërsa në vlerë në 1.02%. Të dy këta tregues sinjalizojnë se, gjatë majit, përdorimi i parasë është rritur krahasuar me prillin, të paktën sa i përket parasë së kanalizuar në sektorin bankar. Kjo është edhe tendencë me efekte sezonale, kryesosht si rrjedhojë e rritjes së fluksit të turistëve.

Sa i përket terminaleve POS, numri i transaksioneve nëpër to ka arritur në 901 mijë, nga rreth 805 mijë që ishin në Prill. Rritja fiksohet kështu në 1.12% në terma mujorë. Ky indikator vlerësohet si ndër më të rëndësishmit në tranzicionin drejt parasë elektronike. Përdorimi i gjerë i parasë fizike në ekonominë shqiptare, sipas vetë Bankës së Shqipërisë i kushton ekonomisë rreth 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vit. Rritja nuk regjistrohet vetëm në numër transaksionesh, por edhe në vlerë. Kështu, gjatë Majit vlera e transaksioneve në pagesat nëpërmjet terminaleve POS është regjistruar në 3,9 mld lekë gjithashtu në rritje, me 1.05%.

Të tjera të dhëna nga Banka e Shqipërisë, sinjalizojnë se numri i POS dhe ATM të vëna në sherbim nga bankat për qytetarët ka ardhur gjithnjë dhe në rritje. Në rang vendi, regjistrohen rreth 822 makina ATM, nga të cilat 59% janë vendosur në qarkun e Tiranës, si dhe 13,741 terminale POS, 83% e të cilave janë vendosur po në qarkun e Tiranës.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Renditja e qarqeve sipas konsumit/ Tirana, Durrësi dhe Vlora kryesojnë. Korça, Shkodra dhe Dibra, në fund

Postimi mëparshëm

Arsimi, në plan të dytë/ Shpenzimet publike në sektor, në rënie viti pas viti, 12 herë më të ulta se në vendet e zhvilluara

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.