Ekonomi

Renditja e qarqeve sipas konsumit/ Tirana, Durrësi dhe Vlora kryesojnë. Korça, Shkodra dhe Dibra, në fund

0

Të dhënat zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve japin një ide të përafërt të qarqeve që konsumojnë më shumë dhe atyre që konsumojnë më pak, por edhe të qarqeve me informalitet të lartë. Ashtu si me detyrimet tatimore, ku të dhënat sinjalizojnë qarqet sipas “taksave”, cilat paguajnë më shumë e cilat më pak (shiko ketu), “Scan Intel” ka vijuar me këtë analizë, duke u fokusuar kësaj radhe vetëm te të ardhurat e mbledhura nga TVSH bruto për frymë, sipas secilit qark, me qëllimin për të kuptuar sadopak se cilat qarqe derdhin më shumë në arkën e shtetit në formën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar dhe cilat më pak. Kjo renditje në vetvete sinjalizon konsumin, por nga ana tjetër, në disa raste, sidomos kur shifrat janë tepër të ulta, sinjalizon edhe infomalitet të lartë.

Kështu, nga analiza e të dhënave të përpunuara dhe të kryqëzuara me ato të popullsisë, rezulton se në vend të parë është kryeqyteti, me një TVSH bruto të derdhur në arkën e tatimeve prej rreth 19 mijë lekëve në vit. Në vend të dytë ndjek qarku I Durrësit, me diferencë të ndjeshme me Tiranën, prej 7900 lekësh për frymë në vit. Vlora ndërkohë, ku janë bashkuar drejtoritë rajonale të Vlorës dhe Sarandës, mban vendin e tretë, me rreth 6800 lekë për frymë në vit. Gjirkoastra me rreth 6700 lekë, Lezha me rreth 5700 lekë, Berati me rreth 5200 lekë për frymë, Fieri me rreth 5 miëj lekë, Elbasani me rreth 4300 lekë, dhe Kukësi me rreth 4200 lekë.

Nga ana e kundërt e tabelës, si qarqet me konsumin më të ulët, rezultojnë: Korça me rreth 4200 lekë për frymë në vit, Shkodra me rreth 3600 lekë për frymë në vit dhe Dibra e vendit të fundit, me vetëm 3522 lekë për frymë në vit. Në Dibër, të ardhurat nga TVSH bruto për frymë në vit janë 5.4 herë më të ulta se në Tiranë. Ndërkohë, pozicionimi I Shkodrës në vendin e parafundit në këtë renditje, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një qark të madh dhe me peshë më të konsiderueshme në ekonominë e vendit, krahasuar me disa qarqe të tjera, sinjalizon një nivel disi të lartë informaliteti. E njëjta gjë vlen edhe për qarkun e Fierit apo të Elbasanit.

Në këtë përllogaritje nuk janë marrë parasysh të ardhurat nga TVSH bruto të Drejtorisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

100 fakte rreth Shqipërisë/ Shifrat, nga ekonomia, papunësia, shëndetësia, arsimi e deri te kultura

Postimi mëparshëm

Sa lekë në muaj tërheqin Shqiptarët nga ATM-të? BSH: 23 mld lekë gjatë Majit. Rriten pagesat pa “para në dorë”

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.