Një artikull akademik i botuar në revistën shkencore “Varësia”, (SOCIETY FOR THE STUDY OF ADDICTION), tregon se sa ka rënë konsumi i alkolit gjatë vitit të pandemisë për 21 vende të Europës, ku mes këtyre vendeve gjendet e renditur dhe Shqipëria. Studimi pëfshin një kampionim prej 31 964 individë gjithsej, të cilët kanë raportuar konsumin e alkolit gjatë vitit të kaluar, pra vitit të pandemisë. Ndër këto vende shohim se vendi ynë regjistron rënien më të madhë të konsumit të alkolit me gati 30 %, në tërësinë e vendeve të Europës. Kampionimi në vendin tonë ishte me rreth 349 individë, të cilët kanë raportuar mbi konsumin e alkolit vitin e kaluar. Këto rezultate përpiqen të na tregojnë se pandemia ka reduktuar konsumin e alkolit dhe kjo ndoshta mund të jetë shkak i mbylljes së bareve e lokaleve, por gjithashtu sipas raportit mund të jetë dhe si pasojë e rënies ekonomike dhe e pagave më të ulta. Kjo situatë mund t’i ketë shtyrë qytetarët të rivlerësojnë buxhetin e tyre duke reduktuar kështu dhe alkolin. Le të rikujtojmë se sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për periudhën janar-dhjetor të vitit 2020, pra vitit të pandemisë, sasia e importuar e mallrave të akcizës ka rënë ndjeshëm për produktin e birrës duke reduktuar kështu dhe konsumin e saj. Analiza e të dhënave mbi ndryshimin e konsumit të alkolit zbuloi se frekuenca e pirjes nuk e ndryshoi domethënien në shtatë vende të cilat janë, Danimarka, Franca, Gjermania, Irlanda, Polonia, Sllovenia dhe Ukraina, ndërsa sasia e alkooli e konsumuar mbeti e njëjtë vetëm në dy vende, Gjermani dhe Irlandë. Mbretëria e Bashkuar është i vetmi vend i cili ndryshe nga të tjerët ka pësuar rritje gjatë vitit 2020.
Klikoni këtu për të parë raportin e plotë
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments