Sociale

Pandemia, Shqipëria qendrore si Lombardia/ 2.7 vite jetë të humbura për qendrën e Shqipërisë, ndër 5 rajonet më të goditura në Europë

0

“Agjencia Europiane e Statistikave” në publikimin më të fundit mbi jetëgjatësinë në lindje sipas rajoneve të Europës, tregon se Shqipëria është ndër vendet më të goditura nga pandemia, duke humbur 1.7 vite jetë. Rajoni qendër është rajoni më i goditur në vendin tonë, ku jetëgjatësia në lindje gjatë vitit 2020 ishte 78.9 vite, nga 81.6 vite që regjistrohej në vitin 2019-të. Kështu, nga përllogaritjet del së në rajonin qendër pandemia ka ‘rrëmbyer’ plot 2.7 vite jetë. Rajoni qendër jo vetëm që është më i godituri në Shqipëri, por shifrat tregojnë se është ndër pesë më të goditurit në Europë më rënien më të madhe të jetëgjatësisë në lindje. Kjo shifër është pothuaj e barabartë me rajonin e Lombardisë, rajon i cili gjatë pandemisë kishte kurbën më të lartë të numrit të fataliteteve. Duhet theksuar se treguesi i jetëgjatësisë mat kohën që pritet të jetojë një person duke marrë parasysh normat e vdekshmërisë, në këtë rast për vitin 2020.

Në Shqipëri, sipas “Agjencisë Europiane të Statistikave”, jetëgjatësia në lindje për vitin 2020 është 77.4 vite. Nëse do të analizonim vetëm rajonet e vendit tonë, shohim se rajoni jug është rajoni më pak i goditur nga pandemia. Gjatë vitit 2020, jetëgjatësia në lindje ishte 76.2, dhe ka rënë më 1.2 vite. Në rajonin veri, jetëgjatësia në lindje ka pësuar rënie me 2.4 vite. Megjithatë, po të analizojmë jetëgjatësinë në lindje pa u përqëndruar në ndryshimin vjetor, bie në sy se jetëgjatësinë më të shkurtër e ka rajoni jug me mesatarisht 76.2 vite për të dyja gjinitë. Nga ana tjetër, individët jetojnë më gjatë në rajonin qendër me një jetëgjatësi në lindje në 78.9 vite për 2020-ën, ndërsa në rajonin veri kjo shifër është 77.3 vite

Me rënien më të ulët të jetëgjatësisë në lindje përgjatë rajoneve të Europës paraqitet Finlanda e Islanda dhe rajone të tyre apo dhe të Gjermanisë me 0.1 vite. Nga të dhënat vihet re se ka vende dhe rajone ku jetëgjatësia e pritur në lindje gjatë vitit 2020 ka pësuar rritje. Ky fenomen ka ndodhur pikërisht në Norvegji apo në rajone të saj ku jetëgjatësia në lindje është rritur me 0.7 vite.

Rikujtojmë analizat e mëparshme të “Scan Intelligence Unit” mbi këtë tregues ku theksohej se rënia e jetëgjatësisë së pritur në lindje, në Shqipëri, gjatë pandemisë kishte pësuar rënie 2 herë më të lartë se në Europë. Gjithashtu analiza për këtë tregues sipas gjinisë tregonte se burrat jo vetën që priren të jetojnë 4 vite më pak se gratë, por jetëgjatësia në lindje për burrat kishte rënë me 2.4 vite, ndërsa për gratë me 1 vit, krahasuar me vitin 2019-të. Po ashtu, sipas analizës së “Scan Intelligence Unit”, qarku më i goditur nga pandemia për ketë tregues ishte Elbasani, duke humbur 2.8 vite jetë, ndërsa Dibra kishte fituar me pandeminë 0.4 vite jetë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

60% e familjeve jetojnë me vetëm 327 euro në muaj/ Të ardhurat mujore të 20% më të pasur, 1555 euro në muaj

Postimi mëparshëm

Mbi 40% e të punësuarve, “punë krahu”/ Industria përpunuese dhe ndërtimi kryesojnë tregun e punës në Shqipëri

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.