Financë

Pakësohen sërish lekët e shqiptarëve/ Depozitat në lekë tkurren gjatë majit për të 4-tin muaj me radhë, rriten ato në valutë

0

Niveli i depozitave në paranë e gjerë gjatë muajit maj ka mbetur thuajse i pandryshuar krahasuar me muajin prill, pranë 1.228 trilionë lekëve, sinjalizojnë shifrat më të fundit zyrtare. Rritja është minimale, pranë vetëm 0.02%. Por, ajo që duket shqetësuese, ashtu si muajt paraardhës, është tkurrja e mëtejshme e depozitave në lekë. Këto të fundit janë regjistruar në rënie për të 4-tin muaj me radhë. Gjatë muajve, shkurt, mars, prill niveli i depozitave në lekë në sektorin bankar ka ardhur gjithmonë në rënie. Përjashtimin e vetëm këtë vit e bën muaji janar, kur depozitat në lekë rriteshin lehtë krahasuar me muajin dhjetor të vitit paraardhës. Gjithsesi, me ardhjen e krizës së çmimeve, kursimet në lekë të bizneseve dhe të individëve duket të jenë pakësuar në mënyrë progresive nga muaji në muaj.

Kështu, shifrat tregojnë se gjatë majit, depozitat në lekë janë ulur lehtë pranë 537.892 miliardë lekëve, nga 537.911 miliardë lekë që ishin gjatë muajit prill. Për herë të fundit, depozitat në lekë tkurreshin për 4 muaj me radhë, në gjysmën e dytë të vitit 2015. Pavarësisht se rënia është e lehtë, kemi të bëjmë gjithsesi me një tkurrje të kursimeve të shqiptarëve. Për më tepër, depozitat në lekë, i referohen kryesisht shtresës më vulnerabël, si për individët, ashtu edhe për bizneset dhe aktualisht vijnë në kontekstin e krizës së çmimeve, me rritjen e ndjeshme të hidrokabureve që kanë sjellë një efekt zinxhir në të gjithë ekonominë, duke ndikuar rrjedhimisht edhe te kursimet, çka reflektohet edhe nëpërmjet shifrave.

Ndërkohë, ashtu si muaji paraardhës, depozitat në valutë vijojnë në rritje, paçka se me hapa më të ngadaltë. Totali i depozozitave në valutë në paranë e gjerë gjatë majit fiksohet pranë 690.6 miliardë lekëve, nga 690.3 miliardë lekë që ishte kjo shifër në muajin prill. Rritja e depozitave në valutë është edhe më e lartë se shifrat zyrtare, duke qenë se janë të shprehura në monedhën vendase, dhe zhvlerësimi i ndjeshëm i euros gjatë majit ka dhënë efekt në konvertimin e tyre në lekë për efekt statistikash.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Cilat janë problematikat kryesore të biznesit? Anketa e RCC: Pandemia, korrupsioni dhe kriza e migrimit, sfidat e sipërmarrjes në Shqipëri

Postimi mëparshëm

Ndërtimi “lokomotiva” e ekonomisë/ Nxiti PBB të rritet me 5.97% në T1 2022, bashkë me pasuritë e paluajtshme

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.