Uncategorized

Në Vlorë “mbretëron” pandëshkueshmëria, Gjirokastra, për t`u marrë shembull, habit Shkodra

0

Në raportin më të fundit të Institutit të Statistikave gjejmë të dhëna mbi statistikat e krimeve dhe drejtësisë penale, ku pasqyrohen të dhënat për autorët e veprave penale, të dëmtuarit nga vepra penale si dhe të dhënat për personat e pandehur. Statistikat për të pandehurit paraqesin të dhëna për numrin e personave të akuzuar, ndërsa kur themi të dëmtuar, i referohemi personave të dëmtuar nga kryerja e një vepre penale. Në grafikun e mëposhtëm tregohet se norma më e lartë e personave të dëmtuar nga veprat penale është në qarkun e Vlorës me 41.9 persona të dëmtuar për 10 mijë banorë, dhe gjithashtu në atë të Gjirokastës me 39.1 persona të dëmtuar për 10 mijë banorë. Qarku i Shkodrës dhe i Fierit kanë normën më të ulët të regjistruar për personat e dëmtuar, përkatësisht me 11.7 dhe 13.9 persona të dëmtuar për 10 mijë banorë.

Sa i përket të dhënave për normën e të pandehurve, siç e tregon edhe grafiku më poshtë, vemë re se qarku i Gjirokastrës, i Durrësit dhe i Elbasanit kanë normën më të lartë të këtij treguesi. Gjirokastra ka një normë prej 113.7 të pandehurish për 10 mijë banorë, Durrësi 77, ndërsa Elbasani 75.3 të pandehur për 10 mijë banorë. Qarku i Shkodrës, Beratit dhe Fierit shënojnë normën më të ulët të të pandehurve për 10 mijë banorë. “Scan Intelligence Unit” ka kryqëzuar dy indikatorët për të kuptuar se sa e përhapur është pandëshkuershmëria sipas qarqeve. Vlora që është e para për numër të dëmtuarish për 10 mijë banore, nuk figuron aspak në krye të tabelës sa i përket klasifikimit të qarqeve për nga numri i të pandehurve, përkundrazi, është ndër vendet e fundit, çka sinjalizon një kulturë mjaft të përhapur pandëshkueshmërie. Sa i përket qarqeve të tjera, lidhja mes dy indikatorëve është thuajse në proporcion të drejtë. Nga grafikët duket qartë se Shkodra është në vend të fundit, sa i përket klasifikimit të qarqeve për nga numri i të dëmtuarve, ashtu edhe sa i përket asaj të numrit të të pandehurve për 10 mijë banorë. Këto shifra mund të sinjalizojnë një kulturë pak të përhapur pandëshkueshmërie, apo nga krahu i kundërt, mund të tregojnë një nivel të ulët denoncimesh. Gjirokastra ndërkohë, renditet në vend të parë në nivelin e të dëmtuarve në raport me popullsinë, dhe e para për nga niveli i të pandehurve, gjë që duket se sinjalizon një kulturë më pak tw përhapur pandëshkueshmërie. Paçka se në terma të përgjithshëm Gjirokastra duket të jetë në krye të Shqipërisë sa i përket kriminalitetit, shifrat sinjalizojnë gjithashtu edhe një normë më të lartë denoncimesh. Duke pasur parasysh këto aspekte, mund të themi se Gjirokastra është për t`u marrë shembull. Tirana është e katërta në të dy drejtimet, pra edhe në nivelin e të dëmtuarve ashtu edhe në nivelin e të pandehurve. Veç Vlorës, Elbasani është qarku tjetër që bie në sy për një disproporcion në këtë klasifikim, pasi figuron ndër vendet e para për numër të të pandehurish, dhe ndër vendet e fundit për numër të dëmtuarish.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Bankat “shpëtojnë” 2020-ën. Kreditë me probleme në rënie, aktivet prekin rekord

Postimi mëparshëm

Inflacioni “rigjen” logjikën, shtrenjtimi i ushqimeve shmang deflacionin

Postimi vijues

Comments

Leave a reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.