Uncategorized

Lista e borxheve të institucioneve, kryesojnë “super ministritë” dhe Bashkitë e qarkut Tiranë, – Presidenca, Bujqësia, KLGJ dhe Bashkia Shkodër, më të “ndershmet”

0

Detyrimet e prapambetura të institucioneve qendrore dhe institucioneve vendore deri në fund të marsit të këtij viti rezultojnë në rreth 20.7 mld lekë, nga rreth 23.8 mld lekë që ishin në fund të vitit të kaluar. Pjesën më të madhe e zënë detyrimet e prapambetura të institucioneve qendrore, me rreth 7.9 mld lekë, tregojnë shifrat zyrtare nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Por, cilat janë institucionet më borxhlije dhe ato më të rregullta? Shifrat tregojnë se Ministria e Infrastrukturës dhe e Energjisë mban vendin e parë, me 29.1% të totalit, ose 2.3 mld lekë, e ndjekur nga ajo e Mbrojtjes me rreth 26.7% të totalit si dhe ajo e Financave dhe Ekonomisë me 26.2% të totalit. Presidenca, Këshilli i lartë Gjyqësor si dhe Ministria e Bujqësisë rezultonë të jenë ato më të rregulltat. Më saktësisht, institucioni i presidencës, dhe ai i Këshllit të Lartë Gjyqësor kanë pasur vetëm nga 100 mijë lekë detyrime deri më 31 mars të këtij viti. Ministria e Bujqësisë, me “vetëm” 3.6 mlN lekë detyrime të prapambetura duket të jetë Ministria më e rregullt në drejtim të pagesave.

Por si janë të klasifikuara këto detyrime të prapambetura? Në vend të parë janë detyrimet e prapambetura rrjedhojë e vendimeve gjyqësore, me rreth 3.7 mld lekë. Ky zë, mban thuajse gjysmën e totalit, ose më saktë, 47.4% të totalit të detrimeve të prapambetura të institucioneve qendrore, të paktën deri më 31 mars të këtij viti. Më pas ndjekin investimet, me rreth 26% të totalit, ose 2.1 mld lekë. Edhe zëra si shërbimet apo mirëmbajtja zënë një peshë të konsiderueshme në “faturat” e papaguara të këtyre institcioneve. Zëra si rimbursimi i TVSH, mallra apo sigurimet shoqërore ndërkohë, zënë ndjeshëm më pak hapësirë në listën e borxheve të institucioneve të qeverisë qendrore.

Nga ana tjetër kemi institucionet vendore. Si renditen ato në këtë listë borxhesh? Në total, borxhet e instucioneve lokale llogariten në rreth 6.8 mld lekë, tregojnë shifrat e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Në vend të parë në këtë listë borxhesh kemi Bashkinë Kavajë, me 840 milionë lekë detyrime të prapambetura, ose rreth 12% të totalit, e ndjekur nga Bashkia më e madhe në vend, ajo e Tiranës me rreth 752 milionë lekë, ose rreth 11% të totalit. Në vend të tretë ndërkohë kemi Bashkinë e Vorës me rreth 674 milionë lekë, ose rreth 10%. Pikërisht tre vendet e para mbahen nga tre institucione vendore të qarkut të Tiranës. Vendin e institucionit vendor më të rregullt me detyrimet e mban ajo e Shkodrës, me vetëm 600 mijë lekë, e ndjekur nga Qarku i Vlorës dhe Bashkia Pustec. Ndër bashkitë e mëdha, me më pak detyrime të prapambetura figurojnë edhe ajo e Fierit si dhe ajo e Gjirokastrës. Ajo që bie në sy është edhe pesha mjaft e madhe që kanë në listën e borxheve bashki të vogla, si ajo e Belshit apo Roskovecit. Të dyja këto bashki së bashku zënë rreth 8.5% të totalit. Sa i përket vetëm vendimeve gjyqësore si detyrime të papaguara, në vend të parë kemi Bashkinë e Durrësit me rreth 137 mlN lekë, e ndjekur nga ajo e Pogradecit me rreth 116 mln lekë si dhe ajo e Dibrës me rreth 109 mln lekë, tregojnë shifrat zyrtare.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Prilli regjistron rekord historik të importit të produkteve farmaceutike dhe të pijeve

Postimi mëparshëm

Veriu bëhet më tërheqës për vendasit, rritet numri i vizitorëve me 47.3% gjatë T1 2021

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.