Shqipëria ka regjistruar një shkallë të ulët të lindshmërisë gjatë vitit 2020 tregojnë të dhënat më të fundit nga “Agjencia Europiane e Statistikave”. Ky tregues regjistrohet në 1.34 lindje për grua dhe e rendit vendin tonë të pestin në Europë, pra ndër vendet më shkallën më të ulët të lindshmërisë. Ndërkohë, të dhënat tregojnë se mesatarja e Bashkimit Europian për vitin 2020 regjistrohet në 1.5 lindje për grua. Këto shifra paraqiten shumë alarmante duke marrë në konsideratë publikimin e “Institutit të Statistikave” mbi popullsinë, të dhënat e të cilit tregonin për një rënie të numrit të lindjeve, gjatë vitit 2021, deri në 2.4%. Shifrat e emigracionit gjithashtu paraqiten negative duke i dhënë një shtysë jo vetëm pakësimit të popullsisë, por edhe në plakjen e saj e duke sjellë rrjedhimisht pengesa të mëdha për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit tonë.
Krahasuar me vendet e rajonit, Maqedonia e Veriut kryeson më normën më të ulët të lindshmërisë. Gjatë vitit 2020, Maqedonia e Veriut regjistron 1.31 lindje për grua. Në rajon, me normën më të lartë të lindshmërisë, me 1.74 lindje, është Mali i Zi. Pozicionimi i Malit të Zi jo vetëm është më pozitivi në rajon, por në Europë renditet i treti më normën më të lartë. Nga ana tjetër, Serbia regjistron një normë lindshmërie për vitin 2020 deri në 1.48 lindje për grua. Në Europë, Malta ka normën më të ulët të këtij treguesi duke u renditur kështu në fund të listës së vendeve. Shkalla e lindshmërisë në Maltë është 1.13 lindje për grua. Spanja po ashtu regjistron një normë të ulët me 1.19 lindje për grua. Franca dhe Rumania janë vendet me normën më të lartë për vitin 2020 duke u renditur të parat në Europë. Franca regjistron 1.83 lindje për grua, ndërsa Rumania 1.80 lindje për grua.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments