Investimet e huaja direkte gjatë vitit të kaluar në vendin tonë prekën shifrën e 1.03 mld eurove, duke regjistruar jo vetëm një vlerë mjaft të përafërt me vitin para pandemisë, atë 2019, por edhe duke regjistruar vlerën e dytë më të lartë në terma vjetorë. Kështu, shifrat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në vitin 2021, flukset e investimeve të huaja direkte në vendin tonë ishin rreth 1.03 mld euro, ndërkohë që në vitin 2019 ato fiksoheshin pranë 1.07 mld eurove. Ndërkohë, me 302 milionë euro në formën e investimeve të huaja direkte, tremujori i fundit i vitit të kaluar regjistron një rekord maksimal historik. Asnjëherë më parë, shifra nuk e ka kaluar pragun e 300 milionë eurove.
Këto shifra nga ana tjetër, kanë “prodhuar” një tjetër rekord, me stokun e invetimeve të huaja direkte që ka prekur një nivel maksimal të ri, prej 9.53 miliardë eurosh në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, nga 9.18 miliardë që ishte në tremujorin pararendës. Në harkun e një viti, stoku i investimeve të huaja direkte është rritur me rreth 1 miliard euro.
Por, shifrat tregojnë edhe një ridimensionim të gjeografisë së investimeve të huaja direkte në vendin tonë. Gjatë vitit të kaluar, Holanda është konfirmuar në vend të parë, duke kanalizuar thuajse 1/4 e investimeve direkte në Shqipëri, ose më saktë 23% të totalit, që përkthehen në 237 milionë euro. Ndërkohë, Italia është ngjitur në vend të dytë, me rreth 13% të totalit, dhe duke i “rrëmbyer” këtë pozicion, Zvicrës. Kjo e fundit ka zbritur në vend të tretë, duke përfaqësuar vetëm 5% të totalit të flukseve të IHD-ve në vendin tonë gjatë vitit të kaluar, nga rreth 20% që mbante gjatë vitit të kaluar. Gjatë 3-viteve të fundit, Zvicra ka pësuar një tkurrje të ndjeshme sa i përket pozicionit të investimeve të huaja direkte në Shqipëri, pasi deri në vitin 2018 mbante vendin e parë.
Pas Holandës së vendit të parë, në vend të dytë ndër shtetet ndjek Italia, me 13.8% të peshës totale në flukset e IHD-ve gjatë vitit 2021. Turqia me 8.6%, Franca me 6.8% dhe Austria me 6.4% mbyllin 5 vendet e para të renditjes. Sa i përket Turqisë ndërkohë, vihet re një “tkurrje” e peshës së saj.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments