Financë

FMN propozon 7 ndryshime taksash/ 167 mln euro përfitim, përmend biznesin e vogël, të vetëpunësuarit, pronën, hotelerinë, mjedisin, akcizën

0

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka publikuar një raport të zgjeruar sa i përket reformës së taksave në vendin tonë, me të dhënat që janë mbledhur deri në shkurt të vitit 2020. Institucioni me bazë në Washington radhit në këtë raport një sërë propozimesh dhe këshillash për qeverinë shqiptare sa i përket regjimit të taksave, por duke evidentuar 7 ndërhyrje konkrete që do të ndikonin ndjeshëm në rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit. Këto 7 taksa do të kishin një ndikim prej rreth 1.04% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për vitin aktual, që përkthehet në rreth 167 milionë euro, dhe do të ngjitej në 1.34% në dy vitet në vijim.

Më specifikisht, ndërhyrja që do të kishte impaktin më të madh do të ishte ajo e taksimit të të vetëpunësuarve. Fondi Monetar Ndërkombëtar këshillon qeverinë shqiptare që të vetëpunësuarit të përfshihen në regjimin e tatimit mbi të ardhurat personale dhe mos të trajtohen si biznes i vogël. Kjo ndërhyrje do të përkthehej në 0.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në vend të dytë në terma kontributi në buxhetin e shtetit është taksa e pronës, ndikimi i së cilës përkthehet në 0.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sipas Fondit kjo taksë në Shqipëri është mjaft e ulët dhe do të duhej më shumë se dyfishim i saj për të qenë në një nivel me vendet e ngjashme me ne. Më pas ndjek një propozim për ndërhyrje në taksimin e ambientit, nëpërmjet të gjithë mekanizmave, si rritja e taksave për qeset plastike, kanaçet e aluminit, etj, etj. Kjo ndëhyrje do të përkthehej në 0.25% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Fondi Monetar Ndërkombëtar propozon edhe një regjim të ri tatimor për biznesin e vogël, dhe më specifikish heqjen e dy niveleve prej 8 mln lekë dhe 14 mln lekë dhe zgjedhjen e vetëm njërit prej tyre, si dhe vendosjen e një regjimi fiks taksimi bazuar mbi një mesatare prej 3% të xhiros vjetore, e cila sipas institucionit në terma monetarë është rreth 50 mijë lekë në vit. Kjo ndërhyrje përkthehet në 0.22% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit tonë. Tatami mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) i reduktuar në sektorin e hotelerisë është gjithashtu një ndër propozimet, me FMN që thotë se taksimi duhet të jetë i barabartë për të gjithë në 20%, duke shtuar edhe se për shumë shërbime që ofron sektori është i paqartë regjimi tatimor, nëse duhet të jetë 20% apo 6%. Dy proppzimet e tjera i referohen akcizës, së birrës dhe verës, dhe asaj të karburanteve, ku sipas FMN nuk duhet të ketë përjashtime dhe të jenë të unifikuara. Përfitimi nëpërmjet këtyre dy ndërhyrjeve do të ishte në 0.07% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

FMN radhit edhe një sërë ndërhyrjesh të tjera në regjimin tatimor, por që do të duan më shumë kohë dhe nuk janë emergjente. Dy problemet më të mëdha të këtij regjimi në vendin tonë, sipas FMN janë kompleksiteti i sistemit dhe prania e përjashtimeve, të cilat duhet eleminuar sa më shpejtë.

KLIKONI KETU PER RAPORTIN E PLOTE

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Inteligjenca artificiale në shërbimet publike/ Sa të gatshëm jemi? Renditemi në vend të 83-të në botë, të parafundit në rajon

Postimi mëparshëm

Numri i vizitorëve “thyen”2019-ën / Rritet me 11.2% në T4 2021, por kanë pësuar rënie netëqëndrimet në hotele me 11.8%

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.