“Scan Intelligence Unit” ka siguruar ekskluzivisht raportin e agjencisë së vlerësimit të kreditit, Moody`s, për Shqipërinë. Agjencia ka rishikuar me rritje projeksionet për ekonominë shqiptare këtë vit. Në raportin e sapopublikuar, rritja ekonomike e vendit tonë për 2021 parashikohet pranë 7.6%, nga 4.8% që ishte parashikimi në muajin qershor. Ky projeksion i ri vjen pas rezultateve mjaft të mira të tremujorit të dytë të vitit, si dhe është në linjë me parashikimet më të fundit të Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim apo Komisionit Europian. Sa i përket vitit të ardhshëm, rritja ekonomike projektohet pranë 4.2%, dhe pranë 3.5% në vitin 2023. “Rreziku kryesor ndaj parashikimit tonë për rritjen ekonomike janë zhvillimet e situatës së pandemisë, si pasojë e normës relativisht të ulët të vaksinimit dhe peshës së sektorit të turizmit. Pjesa e popullsisë, totalisht e vaksinuar ishte vetëm 33%, deri më 21 nëntor, që është edhe norma e dytë më e ulët mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ndjeshëm nën nivelet e vendeve europiane, ku kjo normë është pranë 67%”,-thuhet mes reshtave në raport.
Në drejtim të çmimeve të konsumit ndërkohë, projeksionet e gjigandit të vlerësimit të kreditit, Moody`s, flasin për një normë lehtë më të lartë se parashikimet e institucioneve të tjera ndërkombëtare, prej 2.9% këtë vit. Por, vitin e ardhshëm, agjencia parashikon një zbutje të hapit të rritjes së çmimeve, me një normë inflacioni të projektuar në 2.5%.
Në drejtim të borxhit publik ndërkohë, një prej indikatorëve më të rëndësishëm të konsolidimit fiskal dhe për rrjedhojë edhe të vlerësimit mbi notën e borxhit sovran të vendit tonë, Moody`s parashikon një normë pranë 77.8% të PBB-së këtë vit, paçka se vetë qeveria shqiptare e parashikon këtë normë pranë 80%. Ndër të tjera, agjencia thotë se vitin e ardhshëm, kjo normë do të bjerë lehtë, me vetëm 0.6 pikë përqindje, si pasojë e reduktimit të defiçitit fiskal, kombinuar me një rritje solide të Prodhimit të Brendshëm Bruto nominal.
Agjencia e vlerësimit të kreditit Moody`s, në raportin periodik për vendin tonë, që vjen vetëm pak ditë pasi kalendari i vlerësimit të notave të borxhit nuk kaloi në sitë Shqipërinë, duke e mbajtur të pandryshuar notën, ndalet edhe më hollësisht te profili i borxhit sovran të vendit tonë, si dhe te arsyet që mund të çojnë në një rritje apo ulje të notës. Vlerësimi për këtë notë mbetet i pandryshuar, në B1 me perspektivë të qendrueshme. “Profili i kreditit të Shqipërisë balancon progresin e reformave në përpjekje për t`u bërë pjesë e Bashkimit Europian, kundrejt sfidave strukturore ekonomike të vazhdueshme, si dhe forcës institucionale të kufizuar karshi vendeve të ngjashme me të. Duke qenë një ekonomi e vogël dhe ngushtësisht e diversifikuar, profili i kreditit të Shqipërisë është i ekspozuar ndaj tronditjeve nga jashtë”-thotë Moody`s mes reshtave në raportin për vendin tonë, të siguruar ekskluzivisht nga “Scan Intelligence Unit”.
Pikat e forta të profilit të Shqipërisë vlerësohen pikërisht reformat institucionale si dhe progresi gradual me reformat strukturore. Sfidat ndërkohë janë tre; ekonomia e vogël me nivele të ulta të ardhurash dhe diversifikimi, borxhi i lartë publik dhe rreziqet fiskale si pasojë e detyrimeve të prapambetura, forca e kufizuar institucionale, sidomos në drejtim të korrupsionit. Sa i përket rreziqeve të sektorit bankar dhe të lukuiditetit të qeverisë, gjigandi i vlerësimit të kreditit thotë se, janë të përmbajtura.
Ndërkaq, faktorët që mund të çojnë në një ulje të mëtejshme të notës së borxhit sovran të vendit tonë lidhen ngushtë me politikat fiskale jo të kujdesshme, rritja më e dobët ekonomike krahasuar me pritshmëritë e agjencisë, si dhe materializimin e detyrimeve të prapambetura. Edhe sfidat që mund të rrjedhin nga një rënie e ndjeshme e Investimeve të Huaja Direkte vlerësohen si një rrezik për notën e borxhit sovran të vendit tonë. Kujtojmë se një zhvlerësim i notës së borxhit do të çonte në norma më të larta interesi për huamarrje në tregjet ndërkombëtare të qeverisë shqiptare. Edhe një tërheqje nga angazhimi politik për reforma strukturore dhe institucionale do të çonte në një zhvlerësim të notës së borxhit, nënvizon agjencia.
Duke filluar prej muajit shkurt të këtij viti, agjencia po përdor disa “mjete” të tjera të vlerësimit të kreditit, faktorët ESG, ose më saktë faktorët ambiental, social dhe të qeverisjes. Ndryshe nga termat teknikë mbi të cilat jemi mësuar të “lexojmë” raportet e vlerësimit të kreditit nga agjencitë e specializuara, tanimë, nota e borxhit dhe analiza që bën agjencia për të arritur në një përfundim është më e kuptueshme për të gjithë. Kështu, të tre këta faktorë ndikojnë shumë negativisht në profilin e borxhit të Shqipërisë, nënvizon Moody`s. Madje, sipas agjencisë, ky impakt është edhe më i theksuar se vendet e ngjashme me ne, sa i përket notës së borxhit. Të tre këta faktorë marrin nga një vlerësim, dhe duket se goditjen më të madhe notës së borxhit, Shqipërisë ja jep faktori social. “Ekspozimi ndaj rreziqeve sociale është i lartë dhe lidhet kryesisht me cilësinë e shërbimeve bazike, faktorët demografik jo të favorshëm, emigrimin e lartë, si dhe popullsinë në plakje, që do të peshojë në terma afat-gjatë. Edhe shëndeti, të ardhurat, arsimi, apo puna vlerësohen si burim rreziku për profilin e borxhit të Shqipërisë, paçka se në një nivel më të moderuar”, nënvizon agjencia. Sa i përket notës mbi qeverisjen, vlerësuar si negative e moderuar, agjencia nënvizon se sundimi i ligjit dhe kontrolli i korrupsionit mbeten të dobëta. Nota e vlerësimit për të tre këta faktorë mbetet e pandryshuar krahasuar me raportin e muajit qershor.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments