Ekonomi

Rriten sërish lejet e ndërtimit/ Lezha kalon Tiranën, duke marrë gati 1/4 e lejeve në T3

0

Numri i lejeve të ndërtimit e ka mbyllur me rritje tremujorin e tretë. Duket se sektori i ndërtimit ka ndërmarrë zhvillime të vrullshme, si në numër lejesh, po ashtu nga ana tjetër edhe në sipërfaqe. Mbështetur në të dhënat nga “Instituti i Statistikave” mbi “Lejet e Ndërtimit” në tremujorin e tretë të këtij viti, shohim se janë miratuar gjithsej 442 leje ndërtimi për ndërtesa të reja. Lejet shihet të kenë shënuar një rritje me 68.7% krahasuar me të njejtën periudhë të vitit të kaluar, i cili regjistroi 262 leje. Të njejtin ndryshim shihet të ketë pësuar edhe treguesi i sipërfaqeve të lejeve të ndërtimit, i cili vjen në rritje prej 41.8% këtë tremujor nga 397.947 m2 i miratuar në 2020-ën në 564.266 m2 gjatë këtij viti. Në tremujorin e tretë të vitit 2021 vlera e përafërt e leje të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 22.5 mld lekë, duke shënuar po ashtu një rritje me 15.2%. Rritje po ashtu kanë pësuar lejet e ndërtimit krahasuar edhe me tremujorin e dytë të këtij viti. Të dhënat tregojnë se gjatë tremujorit të dytë janë dhënë 347 leje. Rritja në përqindje është 27.3%.

Numri i lejeve dominohet nga ndërtimet rezidenciale, kryesisht nga ndërtesa me një kat ose me dy kate. Nga të dhënat e marra në shqyrtim shohim se nga 442 leje gjithsej, 357 janë dhënë për ndërtime rezidente dhe 85 janë dhënë për ndërtesa jo rezidente. Mes lejeve për ndërtesa jo rezidente, numrin më të madh e regjistrojnë ndërtesat industriale, me 37 leje, ndjekur nga ndërtesa tregtare, me 22 leje.

Le të shohim se si paraqiten lejet e ndërtimit sipas qarqeve. INSTAT, përmes publikimit, raporton se qarku me numrin më të madh të lejeve për tremujorin e tretë është qarku i Lezhës me 131 leje. Lezha ndiqet nga kryeqyteti me 109 leje ndërtimi dhe qarku i Durrësit me 64 të tilla. "Scan Intelligence Unit” gjithashtu ka analizuar rritjen e lejeve të ndërtimit sipas qarqeve krahasuar me tremujorin e dytë. Rritjen më të lartë të lejeve e ka pësuar qarku Lezhë, i cili paraqitej dhe më numrin më të madh. I dyti me rritjen më të madhe është qarku i Kukësit, me 400%. Nga ana tjetër, qarqe si Fieri, Dibra, Durrësi, Elbasani, Berati dhe Shkodra kanë pësuar rënie të numrit të lejeve gjatë tremujorit të tretë, krahasuar me tremujorin e dytë. Qarku i Gjirokastrës dhe ai i Vlorës nuk kanë pësuar ndryshim. Rikujtojmë se sektori i ndërtimit dhe bizneset e lidhura me të kanë qenë më pak të goditura nga pandemia Covid-19.

*Material i përgatitur nga SCAN INTELLIGENCE UNIT. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

1 në 3 gra shqiptare, e dhunuar/ Raporti i OKB: Me pandeminë, dhuna ndaj grave është rritur me 23% në Shqipëri

Postimi mëparshëm

Ekskluzive/ Moody`s rrit projeksionet për Shqipërinë, – Por, korrupsioni, borxhi publik, investimet e huaja, vaksinimi, janë rreziku kryesor

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.