Të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë, që i referohen muajit Janar të këtij viti tregojnë se totali i depozitave në paranë e gjerë ka prekur shifrën e 1.23 trilionë lekëve, ose rreth 10.2 mld euro. Shifrat zyrtare sinjalizojnë se në terma mujorë rritja fiksohet në rreth 1.5%, që është më e ulët se norma e rritjes në dhjetor, kur fiksohej në 2.6%. Por, nga ana tjetër, muaji i fundit i vitit karakterizohet nga një rritje e ndjeshme e depozitave. Gjithsesi, në terma sezonalë, pra krahasuar me muajin janar të viteve të kaluara, rritja rezulton të jetë më e larta që prej janarit të vitit 2010, kur depozitat rriteshin me 2.8% në terma mujorë.
Në terma absolutë ndërkohë, rezulton se totali i depozitave në paranë e gjerë është rritur me rreth 18.33 mld lekë, që përkthehet në rreth 151 milionë euro.
Ajo që bie tjetër në sy nga shifrat zyrtare të Bankës së Shqipërisë në lidhje me depozitat në sektorin bankar është fakti se thuajse e gjithë rritja ka ardhur nga depozitat në valutë. Sa i përket depozitave në lekë gjatë janarit ato fiksohen në 552.2 mld lekë, të pandryshuara krahasuar me muajin paraardhës. Sa i përket depozitave në valutë ndërkohë, ato janë ngjitur në 682 mld lekë gjatë janarit, nga 663 miliardë lekë që ishin në muajin dhjetor të vitit të kaluar. Rritja mujore fiksohet kështu në 2.8%, që është edhe rritja më e lartë që prej gushtit të vitit të kaluar. Në terma sezonalë ndërkohë, pra krahasuar me të gjithë muajt janar, shifra e këtij viti është gjithashtu më e larta në 12 vite. Hera e fundit kur rritja mujore e depozitave në valutë ka qenë më e lartë është janari i vitit 2010, me 5.2% rritje.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments