Financë

Cilat biznese kanë marrë më shumë kredi vjet? Tregtia në vend të parë, ndjek ndërtimi, që ngjitet në vend të dytë në “portofolin” e kredisë

0

“Scan Intelligence Unit” ka analizuar shifrat e Bankës së Shqipërisë në lidhje me kreditimin gjatë vitit të kaluar, për të kuptuar se cilët segmente të sektorit privat janë mbështetur më shumë te bankat që operojnë në vendin tonë për financim gjatë vitit të kaluar. Në vend të parë, si sektori që ka marrë më shumë hua gjatë vitit të kaluar është tregtia, me shumicë e pakicë, dhe në të cilën përfshihet edhe riparimi i automjeteve dhe motoçikletave. Ky sektor ka marrë rreth 69 miliardë lekë hua të re gjatë vitit të kaluar, e cila përkthehet në rreth 560 milionë euro. Edhe gjatë vitit 2020 ishte pikërisht ky sektor në vend të parë, paçka se në 2020-ën, huaja e re për sektorin fiksohej në 78 miliardë euro, sinjalizojnë shifrat zyrtare. Në vend të dytë ndërkohë gjejmë sektorin e ndërtimit, me 33 mld lekë kredi të re, ose rreth 270 milionë euro. Ndryshe nga tregtia, huaja e re për ndërtimin është rritur ndjeshëm krahasuar me vitin 2020, kur fiksohej në 21 miliardë lekë. Pavarësisht kësaj, edhe në 2020-ën, ndërtimi mban vendin e dytë. Edhe sa i përket vendit të tretë, pozitat janë të pandryshuara krahasuar me vitin paraardhës, ku gjejmë sërish “Industrinë përpunuese”, me 18.9 mld lekë hua të re. Në vend të 4-tët gjejmë “Aktivitete të tjera shërbimesh”, me 8.8 mld lekë, dhe në vend të 5-të, “Akomodimin dhe shërbimin ushqimor” me 8.2 mld lekë hua të re gjatë të gjithë vitit 2021. Sa i përket sektorëve që kanë marrë më pak hua të re gjatë vitit të kaluar, në vend të fundit, me zero financim gjejmë “Organizmat ndërkombëtare”. Aktivitetet e kësaj natyre gjatë vitit 2020 ndërkohë nuk ishin në vend të fundit, dhe merrnin 889 milionë lekë kredi të re. Më pas ndjek “Administrimi publik dhe mbrojtja; sigurimi social i detyrueshëm” me vetëm 24 milionë lekë hua të re, nga 358 milionë lekë që ishte në 2020-ën. Në fund të tabelës, me shumë pak financim renditen edhe sektorë të rëndësishëm si: “Bujqësia”, me vetëm 2.5 mld lekë kredi të re, “Aktivitetet e pasurive të paluajtshme”, me vetëm 1.2 mld lekë, “Arsimi”, me 1.1 mld lekë.

Tashmë, le ta kalojmë analizën në një prizëm tjetër, atë të portofolit të kredisë sipas sektorëve, dhe ku bëhet fjalë për totalin e kredisë që sektorë të ndryshëm kanë në sektorin bankar. Sa i përket ndryshimit vjetor të portofolit të kredisë në terma nominalë, në vend të parë, me një rritje vjetore prej 310% gjejmë “Furnizimin me ujë dhe aktivitetet e menaxhimit të mbetjeve”. Në vend të dytë renditet “Informacioni dhe komunikacioni”, me 52% rritje vjetore të portofolit të kredisë dhe në vend të tretë, “Aktivitetet e pasurive të paluajtshme”, me 38.4% rritje vjetore të stokut të kredisë. Ndjek më pas në renditje “Arsimi”, “Akomodimi dhe shërbimi ushqimor”, “Ndërtimi”, “Energjia Elektrike”, “Aktivitete financiare dhe të sigurimit”, “Bujqësia”, “Transporti dhe magazinimi”. Rënien më të madhe ndërkohë e regjistrojnë “Administrimi publik dhe mbrojtja; sigurimi social i detyrueshëm” me një tkurrje të portofolit me 40.5%, “Arte, argëtim dhe çlodhje” me 36.5% rënie si dhe “Aktivitete të tjera shërbimi” dhe “Shëndetësia” me -34.7% dhe -32.2% respektivisht.

Sa i përket shpërndarjes së kredisë sipas sektorëve, viti 2021 konfirmon në vend të parë “Tregtinë”, me rreth 34% të totalit. Vendin e dytë ndërkohë e ka “rrëmbyer” ndërtimi, me 16% të totalit, duke tejkaluar kështu “Industrinë përpunuese” që ka zbritur në vend të tretë dhe tashmë zë vetëm 13% të totalit. Energjia elektrike vijon të mbajë vendin e 4-tët, ndërkohë që ka humbur ndjeshëm pozicione në “tortën” e portofolit të kredisë “Shëndetësia”, dhe “Bujqësia” i ka zënë vendin “Transportit dhe magazinimit”.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Numri i vizitorëve “thyen”2019-ën / Rritet me 11.2% në T4 2021, por kanë pësuar rënie netëqëndrimet në hotele me 11.8%

Postimi mëparshëm

“Rusi-Ukrainë” në ekonominë shqiptare/ 156 mln euro shkëmbime tregtare në vit, sa 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.