Financë

Bien interesat për kredi në lekë/ BSH: Por, rriten lehtë normat për kreditë e reja në euro

0

Të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se normat mesatare të interesit për kreditë e reja në lekë, për biznesin privat apo individët, mesatarisht, gjatë tetorit të këtij viti kanë rënë krahasuar me muajin shtator. Kështu, normat mesatare të interesit për kreditë e reja në lekë kanë zbritur pranë 5.81%, nga 5.89% që ishin në muajin shtator. Kjo është mesatarja më e ulët e normave të interesit për kreditë e reja në lek që prej muajit qershor, sinjalizojnë shifrat zyrtare nga Banka e Shqipërisë. Ndër 5 afatet e maturimit të listuara nga Banka e Shqipërisë vetëm ai nga 6-muaj deri në 1 vit regjistron një rritje të lehtë të normës mesatare të interesit për kredi, nga 5.69% në 5.88% në muajin tetor. Ndërkohë, kreditë me afat maturimi nga 1-3 vjet si dhe ato nga 3-5 vjet regjistrojnë një rënie domethënëse të normave të interesit.

Por, ndërkohë që normat e interesit për kreditë e reja në lekë kanë rënë gjatë tetorit, jo e njëjta gjë mund të thuhet për ato në euro, që regjistrojnë një rritje të lehtë. Kështu, këto norma gjatë tetorit janë ngjitur në një mesatare prej 4.22%, nga 4.05% që ishin gjatë muajit paraardhës, sinjalizojnë shifrat. Sa i përket afateve të maturimit, vëmë re se, i vetmi produkt në rënie për kreditë e reja në euro, është ai me afat maturimi nga 6 muaj deri në 1 vit. Për të gjitha afatet e tjera të maturimit vihet re një rritje e normës mesatare të interesit.

Qendrueshmëria e normave mesatare të interesit për kreditë e reja sinjalizon një dispozicion të sektorit bankar për të vijuar me kreditimin e ekonomisë. Banka e Shqipërisë, por edhe shumë institucione ndërkombëtare kanë shprehur vazhdimisht se pikërisht sektori bankar ka luajtur një rol thelbësor në përballimin e krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia në vendin tonë, nëpërmjet kreditimit.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Vetëm 7% e shqiptarëve blejnë online, – Renditemi të fundit në rajon dhe në Europë për vitin 2019

Postimi mëparshëm

Kreditimi prek rekorde të reja në tetor/ Rritet me 7.8%, shifra më e lartë në 5 vite. Por, sinjale ndryshimi vijnë nga kredia për blerje shtëpie

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.