Financë

Kreditimi prek rekorde të reja në tetor/ Rritet me 7.8%, shifra më e lartë në 5 vite. Por, sinjale ndryshimi vijnë nga kredia për blerje shtëpie

0

Të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se huaja re e sektorit bankar gjatë tetorit ka prekur vlerën e 22.6 miliardë lekëve, në rritje me 7.8% krahasuar me muajin paraardhës, kur fiksohej pranë 20.9 miliardë lekëve. Shifrat tregojnë gjithashtu se në terma sezonalë, kjo është vlera më e lartë e regjistruar, të paktën që prej tetorit 2016, kur janë publike këto të dhëna nga institucioni qëndror i politikave monetare në vendin tonë.

Rritja e kreditimit nga sektori bankar gjatë tetorit vihet re si në drejtim të sektorit privat, ashtu edhe në drejtim të individëve. Sa i përket sektorit privat, shifrat e tetorit “flasin” për 15.79 mld lekë hua të re, nga 14.6 miliardë lekë që ishte në muajin shtator të këtij viti. Edhe në këtë drejtim, vihet re rritje, si në terma mujorë, ashtu edhe në terma vjetorë.
Huaja e re për individët ndërkohë ka prekur shifrën e 6.57 miliardë lekëve gjatë tetorit, nga 6.31 miliardë lekë që ishte në shtator, dhe nga 5.9 mld lekë që ishte në tetorin e vitit të kaluar. Edhe këtu kemi një rekord 5 vjeçar, me shifrën më të lartë në harkun kohor 2016-2021 për muajin tetor, kur edhe të dhënat janë publike nga Banka e Shqipërisë.

Nga ana tjetër, kredia e re për blerje banese duket se po jep sinjale ngadalësimi, pas rekordeve të njëpasnjëshme që ka regjistruar në muajt paraardhës. Huaja e re për individët për blerje banese gjatë tetorit ka pësuar një rënie krahasuar me shtatorin, duke u regjistruar pranë 1.54 mld lekëve, nga 1.86 mld lekë që ishte në shtator, paçka se në terma vjetorë vihet re në rritje. Por, jo e njëjta gjë mund të thuhet për kredinë e re për blerje banesash në euro, që vihet re në rritje edhe krahasuar me muajin shtator, nga 1.45 miliardë lekë, në 1.69 miliardë lekë. Madje, pas 17 muajsh, totali i huasë së re në euro, ka kaluar totalin e huasë së re në lekë. Hera e fundit që regjistrohej diçka e tillë ka qenë muaji maj i vitit 2020.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Bien interesat për kredi në lekë/ BSH: Por, rriten lehtë normat për kreditë e reja në euro

Postimi mëparshëm

Sa vlejnë eksportet shqiptare? Deri në 10 herë më të shtrenjta se importi, për të njëjtin produkt

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.