INSTAT ka publikuar të dhënat e fundit mbi shkaqet e vdekshmërisë në vend për vitin 2020, të cilat përfshijnë të dhënat mbi vdekshmërinë meshkuj dhe femra, vdekjet sipas grupmoshave, por edhe sipas qarqeve. Konkretisht në raportin e fundit thuhet se numri i vdekjeve në 2020 në Shqipëri ka rezultuar me një rritje prej 25.8%. Po të flasim për vdekjet për 100 mijë banorë, gjatë vitit 2020 ky tregues është 972.7 vdekje nga 768.6 që ishte gjatë vitit 2019, pra një rritje me 204 vdekje në nivel bruto për 100 mijë banorë. Referuar të dhënave sipas shkaqeve kryesore të vdekjeve shohim se shkaqet natyrale zenë 97.3% të shkaqeve në total, e ndjekur nga aksidentet me 1,7%. Vetëvrasjet dhe vrasjet zenë 0.8% dhe 0.2% respektivisht.
“Scan Intelligence Unit” ka përpunuar të dhënat mbi grupsëmundjet duke parë kështu se cila nga to ka normën e vdekshmërisë më të lartë. Siç tregohet dhe në grafikun më poshtë, për vitin 2020 vdekjet nga grupsëmundja “Aparati i qarkullimit të gjakut” zënë 52,2% të vdekjeve gjithsej, pra ky grup sëmundjesh vazhdon të jetë shkaku kryesor i vdekjeve duke zënë dhe peshën më të madhe. Norma e vdekshmërisë për 100 mijë banorë për këtë shkaktar të vdekshmërisë është 508 për 100 mijë. Shkaktari i dytë në radhë është grupsëmundja “Simptoma, shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë”, me 17,0 % të vdekjeve. Tumoret po ashtu vazhdojnë të jenë shkak i humbjes së jetëve me 13% gjatë vitit 2020. Ajo që vihet re është një rritje e numrit të vdekjeve të shkaktuara nga grupsëmundja “Sëmundje të aparatit të frymëmarrjes”, por edhe rritje e madhe e vdekjeve të shkaktuara nga sëmundje të qarkullimit të gjakut. Ritja për sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut shënohet me gati 4.5 herë më e lartë krahasuar me vitin 2019. Këto rritje për këto dy shkaktarë padyshim janë pasojë e Covid-19, duke ditur se virusi prek rrugët e frymëmarrjes, por ndikon edhe në qarkullimin e gjakut. Sa i përket grupit që ka shkaktuar më pak vdekje nga të gjithë të tjerët është grupi “Sëmundje të lëkurës dhe të indit qelizor në qelizë” me 4 vdekje të regjistruara për vitin 2020.
Po të diskutojmë mbi vdekjet sipas gjinisë, nga të dhënat shohim se regjistrohen 15 504 vdekje për meshkujt dhe 12 101 vdekje për femrat, pra 3 403 më shumë meshkuj se femra. Sipas grafikut më poshtë mund të shohim se meshkujt kanë normën më të lartë të vdekshmërisë se femrat gati në të gjitha grupsëmundjet. Grupmsëmundja “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut” në raport me popullsinë shënohet 464,2 vdekje tek femrat dhe 552,5 vdekje tek meshkujt për 100 mijë banorë. Norma e vdekshmërisë për grupsëmundjen “Tumore” është 158,8 vdekje për meshkujt dhe 94,3 vdekje për femrat për 100 mijë banorë. I vetmi grup ku femrat kanë normën më të lartë është grupi i “Sëmundjeve endokrine të ushqyerit” me 13.4 vdekje për 100 mijë banorë. Norma për sëmundjet mendore ëshët e njejtë për të dyja gjinitë.
Nëse do të flisnim për shkaqet e vdekshmërisë sipas grup-moshave shohim se për grupmoshat 45-64, 65-79 dhe 80+ vjeç, shkaku kryesor mbetet sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut. Gjithashtu për grupmoshën 80 vjeç e lart, rreth një e treta e vdekjeve lidhet me pleqërinë. Dëmtimet traumatike” me 28,9 % dhe “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut” me 26,4 % janë grupi me peshën më të madhe në vdekjet të shkaktuara për grup-moshën 20-44 vjeç.
Sipas qarqeve referuar të dhënave të INSTAT, koeficienti bruto më i lartë i vdekjeve vihet re në qarkun e Gjirokastrës me 1556,9 për 100 mijë banorë, ndërsa më i ulëti në qarkun e Tiranës me 784,1 vdekje. Përqindja më e lartë e vdekshmërive të shkaktuara nga “Sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut” regjistrohet në qarkun e Shkodrës me 58% i ndjekur nag qarku i Kukësit. Qarku me përqindjen më të vogël për këtë shkaktar është qarku i Lezhës, Elbasanit dhe Korçës me 48%. Qarku i Gjirokastrës ka përqindjen më të madhe të humbjes së jetësve me shkaktar sëmundjet tumorale, ndërsa Lezha regjistron përqindjen më të ulët.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments