Financë

Kur kanë më shumë nevojë për kredi shqiptarët? Në Dhjetor dhe Shkurt. Janari, më pak i preferuari

0

Për të kuptuar se në cilët muaj, niveli i huave të reja është më i lartë dhe në cilët muaj ky nivel është më i ulët, “Scan Intelligence Unit” ka përpunuar të dhënat e publikuara nga Banka e Shqipërisë për huatë e reja duke marrë në studim periudhën Dhjetor 2016 – Shkurt 2021. Kjo analize bazohet në ndryshimet mujore të huave, për secilin muaj duke filluar nga Dhjetori 2016, për të nxjerrë një mesatare të rritjes mujore për secilin muaj.

Shifrat tregojnë se Dhjetori, Shkurti dhe Maji janë muajt kur shqiptarët kanë nevojë për më shumë mjete financiare dhe marrin kredi. Mesatarja e rritjes mujore përgjatë 4 viteve për Dhjetorin arrin në 20.43%. Dhjetori ndiqet nga Shkurti dhe Maji si muajt kur shqiptarët kanë më shumë nevojë për financim nga sektori bankar, respektivisht 16.9% rritje mesatare në muajin Shkurt dhe 16.38% për muajin Maj. Janari ndërkohë është muaji kur shqiptarët marrin më pak kredi, me një rënie mesatare prej mbi 30% përgjatë 5 viteve të fundit.

Huatë mesatare mujore të shqiptarëve për periudhën Dhjetor 2016-Shkurt 2021 arrijnë në 4.6 mld lekë, që të përkthyera në euro do të thotë 36 milionë. Mesatarja e muajit Dhjetor arrin në 5.6 mld lekë që nëse do t`i konvertonim përsëri në euro do të thotë 45 milion euro.
Muajt që regjistrojnë rritje në nivelin e huave janë edhe muajt Mars, Shtator dhe Tetor por në nivele më të ulta. Muajt e tjerë paraqiten në vlera negative që do të thotë se interesi i shqiptarëve për hua në muajt e mbetur është i papërfillshëm për periudhën e marrë në studim nga “Scan Intelligence Unit”.

*Material i përgatitur nga SCAN INTELLIGENCE UNIT. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Turizmi i kampingjeve, Shqipëria më e goditura mes vendeve të Europës. Bie 62% numri i netëve të kaluara në kampe

Postimi mëparshëm

Pandemia “motivon” të rinjtë, regjistrimet e studentëve në degët e mjekësisë rriten me 4.9%

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.