Të dhënat më të fundit nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë sa i përket treguesve kryesorë të borxhit gjatë vitit të kaluar japin për herë të parë edhe shifrat për Prodhimin e Brendshëm Bruto gjatë vitit të kaluar, atë të pandemisë. Nga këto të dhëna rezulton se Prodhimi i Brendshëm Bruto gjatë vitit 2020 ka qenë në 1.57 trilionë lekë, nga rreth 1.68 trilionë lekë që ishte gjatë vitit paraardhës. Kjo shifër tregon se rënia ekonomike gjatë vitit të kaluar ka qenë në masën 6.37%, sipas vlerësimeve paraprake. Shifra përbën recesionin e parë të ekonomisë shqiptare që prej vitit 1997, kur norma e rënies vlerësohej mbi 10%.
Ky vlerësim, i pari zyrtar nga qeveria shqiptare për vitin e kaluar, është në linjë me vlerësimet më të fundit të disa prej institucioneve kryesore ndërkombëtare. Banka Botërore e vlerësonte në fillim të janarit recesionin e ekonomisë shqiptare gjatë 2020-ës, në -6.8%. Ndërkohë, Moody`s vetëm pak ditë më parë, fliste për një normë rënie në -5.8%. Nga ana tjetër, ky vlerësim rezulton të jetë ndjeshëm më i zbutur se ai i disa institucioneve të tjera ndërkombëtare, si Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), që fliste për një normë prej -9%, në rastin më të mirë, dhe deri në -12% në sipas skenarit më të keq.
Borxhi publik ka arritur në 77.8% të PBB në 2020, rekord historik
Norma e borxhit publik gjatë vitit të kaluar është ngjitur në 77.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, tregojnë shifrat më të fundit nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Në total, borxhi publik i Shqipërisë u ngjit në 1.22 trilionë lekë gjatë vitit 2020, nga rreth 1.11 trilionë lekë që ishte gjatë vitit paraardhës, sinjalizojnë shifrat zyrtare. Gjatë vitit paraardhës, pra para krizës së shkaktuar nga pandemia, apo edhe tërmeti që goditi vendin në nëntor të 2019-ës, norma e borxhit publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto fiksohej në 66.2%. Pra, në harkun e një viti, norma e borxhit publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto është rritur me 11.6 pikë përqindje, sinjalizojnë shifrat zyrtare të përa publike nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Norma prej 77.8% është më e larta e regjistruar ndonjëherë për financat shqiptare, edhe përtej nivelit rekord të prekur në vitin 2015, kur fiksohej në rreth 72.7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në terma absolut, borxhi publik gjatë vitit të kaluar është rritur me rreth 111 miliardë lekë, ose rreth 895 milionë euro. Këto shifra, pra kapërcimi i borxhit publik me rreth 11 pikë përqindje, ose me rreth 900 milionë euro, ilustron më së miri impaktin e krizës në ekonominë shqiptare, dhe sidomos në financat e vendit.
Pjesën më të madhe të borxhit, rreth 52.6% e zë borxhi i brendshëm, dhe 47.4%, borxhi i jashtëm i qeverisë. Borxhi i jashtëm rezulton të jetë rritur me një hap lehtë më të lartë se borxhi i brendshëm i qeverisë.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments