Financë

Valuta “fryn” depozitat bankare/ Totali arrin në 1.194 trilionë lekë në tetor, falë monedhës së huaj

0

Totali i depozitave në paranë e gjerë në vendin tonë gjatë tetorit ka prekur shifrën e 1.194 trilionë lekëve, nga 1.186 trilionë lekë që ishte gjatë muajit shtator të këtij viti, duke regjistruar kështu muajin e 18-të me radhë në rritje. Rritja mujore e depozitave fiksohet kështu pranë 8.3 miliardë lekësh. Nga analiza e të dhënave, vihet re se gjatë periudhës së pandemisë, pra Mars 2020 – Tetor 2021, mesatarja mujore e rritjes së këtij treguesi fiksohet pranë 0.7%, ndërkohë që për të njëjtën periudhë kohore, pararendëse të pandemisë, kjo normë fiksohet pranë vetëm 0.1%. Kjo tendencë në rritje e depozitave në sektorin bankar, me pandeminë, duket se është rrjedhojë e situatës, pra ngadalësimit të investimeve dhe fokusit më të madh për kursime, si nga biznesi, ashtu edhe nga individët, për shkak të pasigurisë që ka krijuar kriza.

Ndërkohë, sa i përket depozitave vetëm në lekë, ato janë rritur nga 531.89 miliardë lekë që ishin në shtator, në 532.54 miliardë lekë në muajin tetor, në rritje me vetëm 0.06%. Sa i përket depozitave në valutë ndërkohë, gjatë tetorit janë ngjitur në 662 miliardë lekë, nga 654 miliardë lekë që ishin gjatë muajit shtator, në rritje me 1.17%. Pra, siç duket qartë nga shifrat, rritja e depozitave në valutë gjatë tetorit ka qenë ndjeshëm më e lartë se në lek, çka i ka dhënë edhe shtysën kryesore rritjes së totalit të depozitave në paranë e gjerë. Kontributi i depozitave në valutë në rritjen e totalit të depozitave gjatë tetorit ka qenë prej rreth 91.5%, ndërkohë që kontributi i depozitave në lekë ka qenë vetëm 8.5%.

Të dhëna të tjera të publikuara nga Banka e Shqipërisë për tetorin tregojnë se, tendenca e huamarrjes për blerje banese, pas 17 muajsh është rikthyer në favor të euros, duke lënë pas kreditë e reja në lekë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Sa vlejnë eksportet shqiptare? Deri në 10 herë më të shtrenjta se importi, për të njëjtin produkt

Postimi mëparshëm

Cilat biznese po marrin më shumë kredi? Shifrat e tetorit, akomodimi dhe shërbimi ushqimor me rritjen më të madhe

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.