Shifrat më të fundit nga Banka e Shqipërisë në lidhje me kreditimin, tregojnë se edhe gjatë korrikut, tregtia ka vijuar të mbetet sektori me më shumë hua të reja për biznesin. Hera e fundit, dhe e vetmja përgjatë 5 viteve të fundit, kur ky sektor e ka humbur vendin e pare, ka qenë prilli i këtij viti, me ndërtimin që zuri vendin e parë. Kështu, shifrat e korrikut flasin për rreth 9 miliardë lekë kredi të re gjatë korrikut për sektorin e tregtisë, nga rreth 7.1 miliardë që ishte në muajin qershor të këtij viti. Ndjek sektori i ndërtimit, me rreth 2.5 miliardë lekë hua të re gjatë korrikut. Pavarësisht kësaj, vihet re një rënie e lehtë krahasuar me qershorin, kur shifra fiksohej në rreth 2.7 miliardë lekë. Boomi në sektorin e ndërtimit gjatë viteve të fundit ka nxitur një rritje të ndjeshme edhe të kreditimit për sektorin. Kulmi është arritur në dhjetor të vitit 2019, me rreth 4.8 mld lekë hua të re për sektorin.
Në vend të tretë ndërkohë, ndjek industria përpunuese, ku përfshihen edhe sektorë si fasoneria. Ky sektor ka marrë rreth 1.5 mld lekë hua gjatë muajit korrik, në rritje të lehtë krahasuar me muajin paraardhës, sinjalizojnë shifrat zyrtare nga Banka e Shqipërisë, të përpunuara nga “Scan Intelligence Unit”. Në renditje ndjek më pas energjia elektrike dhe furnizimi me gaz. Artet, argëtimi si dhe administrimi publik me mbrojtjen janë sektorët me më pak kreditim gjatë korrikut.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments