Financë

“Tkurren” fondet e investimit, efekt i krizës? Bie numri i anëtarëve dhe aseteve këtë vit, performanca e dytë më e dobët në 8 vite

0

Shifrat më të fundit zyrtare nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare (AMF), tregojnë se në 6 muajt e parë të këtij viti Fondet e Investimeve janë tkurrur, si në numër anëtarësh, ashtu edhe në vlerë asetesh dhe investimesh. Kështu, shifrat sinjalizojnë se numri i anëtarëve në fondet e investimit në fund të qershoirt të këtij viti fiksohej pranë 39,856, ku pjesa dërrmuese, mbi 99% janë individë. Në fund të vitit të kaluar numri i anëtarëve fiksohej pranë 40,054, pra kemi të bëjmë me një rënie, paçka se të lehtë, prej -0.49%. “Scan Intel” ka analizuar gjerësisht edhe të dhënat historike të fondeve të investimeve dhe performancës së tyre, nga ku del se në 8 vitet e fundit, vetëm 1 herë tjetër ka pasur rënie të numrit të anëtarëve në 6 muajt e parë të vitit, gjatë 2018-ës, me 6.91%.

Që prej vitit 2015, përveç 2018-ës dhe 2022-shit asnjëherë më parë, anëtarët e fondeve të investimeve nuk janë regjistruar në rënie gjatë gjysmës së parë të vitit, çka sinjalizon që kjo tendencë këtë vit mund të jetë edhe rrjedhojë e krizës që po kalon vendi, me rritjen e ndjeshme të çmimeve të konsumit, sidomos ato të hidrokarbureve. Këtë arsyetim e përforcojnë edhe shifrat e performancës së fondeve të investimit këtë vit në nivel asetesh dhe investimi. Kështu, asetet neto të fondeve të investimit kanë zbritur në rreth 71 miliardë lekë në fund të qershorit, nga rreth 77.7 miliardë lekë që ishin më 31 dhjetor të vitit të kaluar, me një rënie në 8.3%. Ashtu si me numrin e anëtarëve, nëse shohim të dhënat historike, kuptojmë se për 6 muajt e parë të këtij viti, një rënie e tillë nuk ishte regjistruar që prej vitit 2018. Asokohe rënia fiksohej pranë 8.6%.

Edhe në nivel investimesh vihet re një rënie, prej 9.18% në 6 muajt e parë të këtij viti, krahasuar me fundin e vitit të kaluar, nga 68.8 miliardë lekë, në 62.5 miliardë lekë.
Duke qenë se pjesa dërrmuese e anëtarëve të fondeve të investimit në të 11-të kompanitë e licensuara përfaqësohet nga invididë, me më pak se 50 në total që janë persona juridikë, këto të dhëna sinjalizojnë se kriza e konsumatorit, por edhe pasiguritë e krijuara nga luhatjet e vazhdueshme në tregjet financiare gjatë periudhës kohore në fjalë kanë nxitur një interes më të ulët të qytetarëve për këto fonde si mjete investimi.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Rriten pagesat me kartë/BSH: Në tremujorin e dytë 2,57 mln transaksione dhe 11,8 mld lekë pagesa nëpërmjet POS

Postimi mëparshëm

Turistët “mësyjnë” Shqipërinë/ Në korrik rriten hyrjet me 19.2%, krahasuar me 2019-ën

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.