Të dhënat e Institutit të Statistikave mbi statistikat e diplomimeve, tregojnë për një rënie të numrit të të diplomuarve gjatë vitit shkollor 2020-21. Gjatë kësaj periudhe janë diplomuar në arsimin zyrtar 96,005 nxënës dhe studentë dhe rënia llogaritet në 2.2%. Rënia e numrit të diplomuarve vërehet në të gjitha nivelet e arsimit. Këto të dhëna janë të ndikuara kryesisht nga ndryshimet demografike dhe plakja e popullsisë, por edhe si pasojë e emigrimeve për qëllime studimi. Sipas shifrave të përpunuara diplomimet e nxënësve në arsimin 9-vjeçar, gjatë vitit shkollor 2020-21, kanë rënë me 4.3%, atyre në arsimin e mesëm kanë rënë me 1.7%, ndërsa të diplomuarit në arsimin e lartë kanë pësuar një rënie të lehtë me 0.6%.
“Scan Intelligence Unit” ka analizuar se në cilat fusha studimi është regjistruar rënia më e madhe e numrit të të diplomuarve. Shifrat tregojnë se rënien vjetore më të madhe për vitin akademik që lamë pas e kanë regjistruar të diplomuarit në fushën e shkencave natyrore, matematikë dhe statistikë. Po ashtu një rënie e numrit të të diplomuarve vërehet dhe në fusha si “Arte dhe shkenca humane” me 11.8%; “Shkenca sociale, gazetari dhe komunikim” me 11.3% dhe “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” me 8.8%. Ajo që bie në sy është se në vitin akademik 2020-21, rritjen më të lartë të numrit të të diplomuarve e ka patur fusha “Bujqësi, pyje, peshkim dhe veterinari” me 12.9%, ndjekur nga “Shëndet dhe Mirëqenie” me 12%. Rritje e numrit të të diplomuarve vërehet dhe në fusha studimi si shërbimet, teknologjia apo dhe biznesi e ligji.
Po si ka ndryshuar numri i të diplomuarve nëse do të analizonim nivelet e diplomimit në arsimin e lartë? Të dhënat tregojnë se të diplomuarit doktorantë, gjatë vitit 2020-21, kanë pësuar rritje me 33.7%. Rritje po ashtu kanë pësuar dhe të diplomuarit në programet e studimit 2 vjeçare me 23.2% dhe programi bachelor me 0.4%. Me rënie regjistrohen vetëm të diplomuarit në programet master me 4.4%.
Në analizën e “Scan Intelligence Unit” janë përfshirë gjithashtu edhe fushat e preferuara sipas gjinisë gjatë vitit akademik 2020-2021. Gjatë kësaj periudhe të diplomuarat femra rezultojnë më shumë në numër se meshkujt. Fusha në të cilën janë diplomuar më shumë studentë në të gjitha programet është “Biznes, administrim dhe ligj” prej 30,0% ose më shumë se një e katërta e numrit të përgjithshëm të të diplomuarve. Fusha e dytë më e preferuar nga meshkujt është “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” me 18,9 % të të diplomuarve meshkuj. Ndërsa, nga femrat gjithsej të diplomuara, fusha e dytë e preferuar është “Shëndet dhe mirëqenie” me 18,3 % të të diplomuarave.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments