Depozitat në sektorin bankar janë tkurrur gjatë muajit shkurt të këtij viti, tregojnë shifrat më të fundit nga Banka e Shqipërisë. Kështu, totali i depozitave në paranë e gjerë ka zbritur në 1.229 trilionë lekë, nga 1.234 trilionë lekë që ishte gjatë muajit janar të këtij viti. Në terma mujorë, tkurrja e depozitave fiksohet pranë 0.4%. Totali i depozitave në sektorin bankar në vendin tonë në një muaj është pakësuar me rreth 5.4 mld lekë, ose rreth 44.5 milionë euro. Gjatë 24 muajve të fundit, vetëm tre herë në total depozitat janë regjistruar në rënie, në prill të vitit 2020, që përkon me fillimin e pandemisë, dhe në nëntor të vitit të kaluar, kur nisën edhe sinjalet e para të krizës së çmimeve në vendin tonë. Edhe rënia e shkurtit mund të justifikohet pikërisht me thellimin e krizës së çmimeve në vendin tone, paçka se ka kulmuar në muajin mars.
Sa i përket vetëm depozitave në lekë ndërkohë, gjatë shkurtit kanë zbritur në 547 miliardë lekë, nga 552 miliardë lekë që ishin gjatë janarit, në një rënie vjetore prej rreth 0.95%. Kjo rënie është më e larta që prej muajit gusht të vitit 2019, kur tkurrja e depozitave në lekë në paranë e gjerë fiksohej pranë 1.3%.
Ndërkohë, sa i përket depozitave në valutë, regjistrohen gjithashtu në rënie, paçka se në nivele ndjeshëm më të ulta. Këto të fundit kanë zbritur në 681.9 mld lekë gjatë shkurtit, nga rreth 682.1 mld lekë që ishin gjatë muajit janar të këtij viti. Rënia mujore në terma nominalë e depozitave në euro në paranë e gjerë fiksohet pranë 0.02%, sinjalizojnë shifrat zyrtare nga Banka e Shqipërisë.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments