Financë

Tjetër rekord pozitiv i kredive me probleme/ Në nëntor bie në 6.2%, niveli më i ulët që prej nëntorit të vitit 2008

0

Niveli i kredive me probleme ka regjistruar një tjetër rënie gjatë nëntorit të vitit të kaluar, tregojnë të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë. Në muajin paraardhës, ky tregues fiksohej në 6.35%. Ky është muaji i 10-të me radhë në rënie për një prej treguesve më të rëndësishëm të shëndetit financiar të sektorit bankar. Ndër të tjera, shifra rezulton të jetë më e ulta që prej muajit nëntor të vitit 2008, kur fiksohej pranë 5%. Prej muajsh, ky tregues i është rikthyer niveleve të para krizës financiare globale. Kriza e më shumë se një dekade më parë nxiti një rritje graduale të treguesit, për të kulmuar në 25% në shtator të vitit 2014. Gjatë muajve të fundit ndërkohë, për herë të parë janë tejkaluar këto nivele, paçka se vendi ka qenë në një krizë tjetër, atë të shkaktuar nga pandemia. Kjo rënie e ndjeshme e treguesit vjen pavarësisht pritshmërive të ekspertëve dhe vetë institucioneve. Banka e Shqipërisë ka deklauar disa muaj më parë se pritshmëritë e treguesit me pandeminë, flisnin për një rritje të ndjeshme të tij, deri në masën 15%. Por, krejt e kundërta ka ndodhur. Madje, rënia ka vijuar të jetë progresive edhe pas shfuqizimit të masave lehtësuese të Bankës së Shqipërisë sa i përket kësteve të kredisë, duke hedhur poshtë çdo parashikim.

Duke qenë se sektori bankar ka luajtur një rol kyç në rimëkëmbjen ekonomike të vendit si pasojë e krizës së shkaktuar nga pandemia, ky tregues i mëshon edhe më shumë faktit se ky sektor do të vijojë ta luajë këtë rol. Rënia e normës së kredive me probleme ndaj totalit sinjalizon një hapësirë më të zgjeruar të sektorit bankar për të dhënë kredi, si për individët, ashtu edhe për ekonominë e vendit në tërësi.

*Material i përgatitur nga SCAN INTELLIGENCE UNIT. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Sa të ardhura ka një shqiptar në muaj? Vetëm 207 euro! Analiza e “SIU”, bazuar mbi të ardhurat e pagave, pensioneve, biznesit dhe emigrantëve

Postimi mëparshëm

Analiza e tregut të telefonisë / Të tre kompanitë ulën ndjeshëm xhiron dhe fitimet në 2020, “Albtelecom”, e vetmja në humbje

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.