RaporteSociale

“Tiranasit” zhvendosen drejt periferisë/ Shifrat, braktiset “Kombinati”, “Selvia”, “Lapraka”, urbanizohet “Kashari”, “Farka”, “Dajti”

0

Tirana e sotme, përngjason gjithnjë e më tepër me shoqëritë perëndimorë të viteve 60’, të zhvendosura drejt periferive, tregojnë shifrat më të fundit të Bashkisë Tiranë mbi lëvizjet e popullsisë. Kështu, njësitë administrative “Kashar”, “Farkë” dhe “Dajt” rezultojnë më të parapëlqyerat ndër qëndrat rezidenciale, përkundrejt njësive “Kombinat”, “Laprakë”, “Selvia” “Ndroq” dhe “Shengjergj” si më pak të preferuara nga kryeqytetasit si qëndra banimi.

Gjatë vitit 2021, 58,664 qytetarë kanë vendosur vendbanimet e tyre pranë njësisë administrative “Kashar”, perkundrejt 51,622 qytetarëvë që figuronin gjatë 2020-ës, çka përkthehet në një rritje me 13,64% të rezidentëve në vetëm një vit. Pas njësisë Kashar, njësia “Farkë” renditet e dyta në listën e zonave me rritjen më të lartë të popullsisë me 10,27% ose 26,019 qytetarë, përkundrejt 23,595 që rezultonin një vit më parë. Nga të dhënat e grumbulluara, shohim se raporte pozitiv regjistrojnë dhe njësia “Dajt” me një rritje prej 8.16% dhe “Pezë” me 4.1%. Mjafton të përmendim një varg kompleksesh të reja të ndërtuara në zonat si Astir, Fresku dhe përreth qëndrave tregtare për të shpjeguar fenomenin e dyndjeve drejt këtyre zonave të banorëve kryeqytetas.

Nga krahu tjetër, çka bie në sy është një rënie e ndjeshme e popullsisë në disa prej zonave të vjetra të Tiranës, siç janë ato “Kombinat”, “Laprakë” dhe “Selvia” të njohura dhe si njësi të të ardhurve pas viteve 90” ose si lagje të “tironsve” të vjetër. Nga ndjekja e ecurisë së lagjes “Kombinat” për periudhën 2009-2021 rezulton se rënia nis pikëriksht në vitin 2019, çka lidhet direkt periudhën e tërmetit, ndërkohë që i njëjti raport ka qënë pozitiv përgjatë harkut kohor 2009-2018. Ndërkaq, sa i përket ecurisë të të 24 njësive administrative në total ndër vite (2009-2021), rezulton se zona si “Farkë”, “Kashar”, “Dajt” kanë pësuar dyndje të paparashikueshme, me rreth 130%-181% rritje të numrit të popullsisë, ndërkohë që një rritje më të lehtë kanë pësuar zona si “Ish Parku”, “21 Dhjetori” me 22,5% dhe zona si “Don Bosko dhe Prokuroria”, “Pezë”, “Vaqarr”, “Zall Herr” me 13%-20%.

Duket se tendencat e së ardhmes së “Tiranasve” shkojnë drejt “braktisjes” së zonave të vjetra, çka thyen tabutë e qëndrave të zhurmshme dhe zhvendosjes drejt periferive, ku duket se dhe jetesa është më e paqtë. Ky trend i 10-viteve të fundit lidhet ngushtë dhe me dëshirën për të lëvizur nga pallatet e vjetra paksa të amortizuar, drejt atyre të reja të lokalizuara në zonat më periferike, me kushte jetese ndjeshëm më të përmirësuara. Nëse ecim me këto ritme, në Tiranën e së ardhmes, lagjet tradicionale brenda unazës do të shërbejnë kryesisht si qendra biznesi dhe administrate, përkundrejt periferisë të dedikuar për zonat rezidenciale.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Tregtia e jashtme, si ka ndryshuar me krizën? Importet, Turqia i “rrëmben” vendin e parë Italisë, Kina, “rrokadë” me SHBA

Postimi mëparshëm

Çmimet po rriten më ngadalë se në Europë?! Disa pikëpyetje se përse inflacioni në Shqipëri është ndër më të ultit në kontinent

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.