Ekonomi

Çmimet po rriten më ngadalë se në Europë?! Disa pikëpyetje se përse inflacioni në Shqipëri është ndër më të ultit në kontinent

0

Indeksi I harmonizuar I Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për vendin tonë fiksohet pranë 6.6% për muajin qershor të këtij viti. Ky indeks mat ndryshimin vjetor të çmimeve sipas metodës së Eurostat. Pra, Instituti i Statistikave e mat rritjen e çmimeve sipas 2 metodave, asaj të brendshme, dhe asaj të harmonizuar me Bashkimin Europian. Sipas metodologjisë europiane, çmimet në vendin tonë rezultojnë të jenë rritur gjatë qershorit me një hap ndjeshëm më të ulët se çfarë tregonte metodologjia e INSTAT, që fliste për një normë prej 7.4% rritje. Nga të dhënat rezulton se rritja e çmimeve në vendin tonë gjatë qershorit ka qenë ndjeshëm më e ulët se mesatarja e Bashkimit Europian, pra 6.6% kundrejt 9.6% në union. Ndër të tjera, Shqipëria rezulton të jetë ndër 5 vendet me rritjen më të ulët të çmimeve në Europë. Në kontinentin e vjetër në vend të parë për rritjen e çmimeve renditet Estonia, me rreth 22%. Pavarësisht renditjes në fund të tabelës, Shqipëria rezulton të ketë një rritje çmimesh më të lartë se vende si Franca apo Zvicra.

Por, si shpjegohet kjo diferencë në indeksin e rritjes së çmimeve mes dy metodologjive? Kjo diferencë lidhet ngushtë me peshën që zënë zërat e ndryshëm të shportës, mbi 300 të tilla për të dyja indekset. Në rastin e indeksit të çmimeve të konsumit, pra metodologjisë vendase, zëri që përfshin hidrokarburet zë rreth 20% të totalit, ndërkohë që në Indeksin e Harmonziuar të Çmimeve të Konsumit, atë të Eurostat, zë vetëm rreth 6% të totalit.

Por, pavarësisht faktit se me metodologjinë e Eurostat çmimet në vendin tonë rezultojnë të jenë rritur me një ritëm më të ulët se ajo që tregon metodologjia e Instat, në të dyja rastet është Instituti I Statistikave përgjegjës për grumbullimin e informacionit, dhe pikëpyetjet që ngrihen janë jo të pakta. Gjatë muajve të fundit, pra që kur kriza e çmimeve u bë e pranishme në përditshmërinë e gjithësecilit, indeksi I çmimeve të konsumit ka treguar vazhdimisht një rritje modeste, dhe madje edhe rënie të çmimeve në zërin ku përfshihen hidrokarburet, atë të “lëndë djegëse dhe energji”. Indeksi I çmimeve të konsumit tregonte se në qershor të këtij viti, grupi “lëndë djegëse, energji” ofronte çmime 0.4% më të lira se muaji maj, pavarësisht faktit se çmimet e naftës prekën niovele rekord të larta gjatë qershorit, deri në 265 lekë për litër, dhe më të larta se muaji maj. Madje, këto të dhëna vijnë në një kohë që çmimet e hidrokarbureve me pakicë janë publike. Ky zë figuron me 0.3% rënie edhe sipas metodologjisë së IHÇK.

Pra, të dyja metodologjitë, paçka se tregojnë nivele të ndryshme të rritjes së çmimeve në vendin tonë, kanë një të përbashkët të madhe; skepticizmin mbi saktësinë e informacionit të grumbulluar.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

“Tiranasit” zhvendosen drejt periferisë/ Shifrat, braktiset “Kombinati”, “Selvia”, “Lapraka”, urbanizohet “Kashari”, “Farka”, “Dajti”

Postimi mëparshëm

Turizmi, në nivelet para pandemisë/ Maji, 35 mijë vizitorë dhe mbi 100 mijë netë-qëndrime më tepër se në 2019-ën në hotele

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.