Gjatë 5 muajve të parë të këtij viti, shteti shqiptar ka arkëtuar rreth 220 miliardë lekë vetëm në formën e të ardhurave tatimore, ose 1.84 miliardë euro. Kjo është padiskutim shifra më e lartë e regjistruar ndonjëjherë në formën e të ardhurave tatimore në 5 muajt e parë të vitit, dhe rrjedhojë e drejtpërdrejtë e rritjes së çmimeve dhe efektit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Scan Intel i ka analizuar të dhënat historike ndër vite, që prej vitit 1998, për të kuptuar se sa e madhe është rritja këtë vit. Sipas kësaj analizë të shifrave rezulton se, gjatë 5 muajve të parë të 2022-shit, të ardhurat tatimore janë rritur me 23% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit pararendës. Një normë kaq e lartë nuk ishte regjistruar asnjëherë më parë, që prej 5-mujorit të parë të vitit 2003, kur të ardhurat tatimore rriteshin me 45.7% në terma vjetorë, duke u ngjitur nga 39.7 mld lekë, në 57.8 miliardë lekë.
Në harkun e 5 viteve, që prej 5-mujorit të parë të vitit 2017, të ardhurat tatimore në arkën e shtetit janë rritur me 35%, ose me rreth 57 miliardë lekë. Krahasuar me vitin 1998 ndërkohë, për 5 muajt e parë të vitit, të ardhurat tatimore në arkën e shtetit rezultojnë rreth 875% më të larta, në rritje me thuajse 200 miliardë lekë.
Por, ndërkohë që të ardhurat tatimore janë rritur ndjeshëm gjatë këtij viti, krahasuar me një vit më parë, apo me 5 vjet më parë, shpenzimet kapitale, pra investimet, janë rritur me një hap ndjeshëm më të ulët, madje janë në rënie në terma vjetorë. Krahasuar me 5-mujorin e parë të një viti më parë, shpenzimet kapitale rezultojnë 16% më të ulta, ose rreth 5 miliardë lekë, ndërkohë që krahasuar me 5 muajt e parë të vitit 2017, rënia fiksohet pranë 3.1%, në një kohë që gjatë të njëjtit hark kohor, të ardhurat tatimore rezultojnë të jenë rritur me 35%.
Nga analiza e shifrave zyrtare të publikuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë vetëm pak kohë më parë për të njëjtën periudhë kohore, rezulton se, vetëm nga arkëtimi i TVSH, administrata tatimore dhe doganore (pra jo vetwm tatimet) ka mbledhur plot 115 milionë euro më shumë se 5 muajt e parë të vitit të kaluar. Rritja e ndjeshme e të ardhurave në buxhetin e shtetit është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e rritjes së çmimeve të konsumit dhe sidomos të karburanteve, dhe këtë gjë e ilustron më së miri rritja e ndjeshme e arkëtimeve nga tatimi mbi vlerën e shtuar. Kjo e fundit zë 1/3 e rritjes të të ardhurave në buxhetin e shtetit gjatë 5 muajve të parë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Duke llogaritur këtu edhe rimbursimin e TVSH ndjeshëm më të ulët se një vit më parë, më shumë se 2 herë më i ulët, atëherë, vetëm nga TVSH, arkat e shtetit kanë grumbulluar rreth 171 milionë euro më shumë se një vit më parë, sinjalizojnë shifrat zyrtare, të analizuara dhe përpunuara nga “Scan Intel”. Vetëm duke i`u referuar TVSH së brendshme ndërkohë (neto) rezulton një arkëtim prej 16.6 mld lekësh gjatë 5 muajve të parë, rreth 7.2 mld lekë ose 60 milionë euro më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Rritje të ndjeshme regjistron edhe tatimi mbi fitimin, me rreth 47 milionë euro më shumë të arkëtuara se një vit më parë, të ardhurat nga fondet speciale, kryesisht sigurimet shoqërore, me rreth 37 milionë euro më shumë se një vit më parë, të ardhurat nga taksat nacionale, me rreth 28 milionë euro më shumë, apo të ardhurat nga pushteti vendor, me rreth 26 milionë euro më shumë.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments