Gjatë ditëve të ftohta të dimrit problemi kryesor për familjet shqiptare është ngrohja. Me se ngrohen shqiptarët? Cilat janë burimet kryesore? “Scan Inteligjence Unit” ka përpunuar të dhënat e vjetarit rajonal statistikor të Instat, ku paraqiten burimet e ngrohjes sipas qarqeve për vitin 2019-të. Siç tregohet dhe në grafik baza kryesore e ngrohjes për familjet shqiptare janë drutë e zjarrit dhe qymyri me 54.7%, e ndjekur nga energjia elektrike me 38.3% dhe gazi me 6.2%.
Përqindja më e lartë e familjeve që përdorin drutë si burim për tu ngrohur është regjistruar në qarkun e Kukësit me 98.5%, i ndjekur nga Dibra me 94.2% dhe Korça me 83.7%. Le të kujtojmë se qarqet e mësipërme janë nga qarqet më të ftohta të vendit tonë dhe gjithashtu sipas studimeve të mëparshme të Instat, vlen të themi se familjet rurale janë konsumatorët më të mëdhenj të lëndës drusore për zjarr.
Po cilat janë qarqet që përdorim më pak se të tjerët drutë e zjarrit si burim? Vlora dhe Tirana regjistojnë përqindjen më të ulët të përdorimit të druve të zjarrit dhe nga ana tjetër regjistrojnë përdorimin më të lartë të energjisë elektrike. 67.7% të burimeve për t`u ngrohur për vlonjatët e zë energjia elektrike, e ndërsa për tiranasit, ky burim zë 60.4% të totalit. Qarku i cili e përdor më pak energjinë elektrike për t`u ngrohur është Kukësi dhe Dibra.
Një burim tjetër ngrohje është dhe gazi. Përqindjen më të madhe të familjeve që plotësojnë nevojat për ngrohje duke përdorur gazin si burim e hasim në qarkun e Shkodrës me 17.7%, e ndjekur nga Durrësi me 11.7%.
Sa i përkët burimeve të tjera të ngrohjes siç janë nafta, gasoil dhe vajguri, kanë një përdorim në përqindje shumë të vogël ku kryesisht regjistrohen në qarkun e Beratit me një vlerë 3.7% nga totali i burimeve të tjera. Qarqe si Kukësi, Dibra, Elbasani, Lezha dhe Durrësi, nuk e përdorin naftën apo burime të tjera për ngrohje.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments