Sociale

Shqiptarët vijojnë të “trokasin” dyerve të Europës/ Azilantët, shifrat e prillit dy herë më të larta se vjet, por poshtë niveleve të para pandemisë

0

Aplikimet për azil nga shqiptarët gjatë muajit prill të këtij viti janë pothuaj dyfish më shumë se kërkesat për azil përgjatë prillit të vitit 2021. Të dhënat e “Agjencisë për Azil të Bashkimit Europian” (EUAA), tregojnë se në muajin prill të këtij viti janë regjistruar 920 kërkesa për azil nga shtetas shqiptarë, nga ku 772 aplikime janë për herë të parë ndërsa 148 aplikime janë përsëritëse. Shifrat tregojnë se krahasuar me prillin e vitit 2021, këtë vit regjistrohen 483 kërkesa më shumë. Nëse do të flisnim për kërkesat për herë të parë shohim se rritja krahasuar me prillin e vitit të kaluar është rreth 500 kërkesa. Nga shifrat e analizuara nga “Scan Intel” rezulton se numri i kërkesave për azil nga shqiptarët i ka thyer nivelet e muajve të pandemisë, por është akoma larg periudhës së para krizës. Shifrat flasin për 1946 aplikime gjithsej nga shqiptarët gjatë muajit prill të vitit 2019-të. Në terma afatshkurtër nëse do të bënim krahasimin mujor shohim se ka një rënie të kërkesave gjatë muajit prill përkundrejt muajit mars, i cili regjistronte 984 kërkesa gjithsej.

“Scan Intel” e ka analizuar këtë tregues edhe në terma katërmujorë. Shifrat tregojnë se përgjatë katër muajve të parë të vitit janë regjistruar gjithsej 3,785 kërkesa për azil, ndërkohë që në katër muajt e parë të vitit 2021 kishin aplikuar për azil 1,886 aplikantë.

Pavarësisht kërkesave në rënie krahasuar me vitin 2019-të dhe muajin paraardhës, shqiptarët janë më të pakënaqurit në rajon. Në raport me vendet e rajonit, Shqipëria regjistron numrin më të lartë të kërkesave edhe për muajin prill të këtij viti. Vendi i dytë i cili ndjek në renditje është Serbia me 251 kërkesa, pasuar nga Maqedonia e Veriut me 225 kërkesa. Sa i përket kërkesave nga Kosova, për muajin prill janë regjistruar 192 të tilla. Vendet e rajonit me më pak aplikime për azil janë Mali i Zi me vetëm 26 kërkesa dhe Bosnje Hercegovina me 121 aplikime.

Të dhënat nga “Agjencia për Azil e Bashkimit Europian” bëjnë me dije se në prill të vitit 2022 janë depozituar 60,200 aplikime në vendet e Bashkimit Europian, duke pësuar rënie karahasuar me muajin mars. Ky numër më i ulët vjen kryesisht si shkak e rënies së kërkesave nga ukrainasit përgjatë prillit.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Në cilat lagje të Tiranës ka më shumë divorce? Në “Laprakë” dhe “Myslym Shyri”. “Ali Demi” dhe “Selvia”, më konservatoret

Postimi mëparshëm

Makina na vlen më shumë se paratë në bankë/ “Flota”, sa 16% e PBB-së! Vlera e një mjeti, më e lartë se pasuria financiare e një familje shqiptare

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.