Interneti është padiskutim një prej teknologjive që i ka shërbyer më shumë njerëzimit dhe zhvillimit gjatë dekadave të fundit. Por, disa shifra të publikuara së fundmi nga Agjencia Europiane e Statistikave (Eurostat) tregojnë se shqiptarët, të paktën ndër europianët e tjerë janë keqpërdorues të kësaj teknologjie. Më saktë, jemi të fundit në Europë për përdorimin e internetit me qëllim për të lexuar dhe për t`u informuar në rrjet.
Në Bashkimin Europian, thuajse 9 në 10 përdorues të internetit e shfrytëzojnë atë për t`u informuar online, pra për të lëxuar lajme, aktualitet, revista etj. Ndërkohë, në Shqipëri, ky raport zbret në më pak se 6 në 10. Në vendin tonë, vetëm 58% e përdoruesve të internetit deklarojnë se e shfrytëzojnë atë për t`u informuar. Kjo normë na vendos në fund të kontinentit të vjetër në këtë drejtim. Ndër vendet e Bashkimit Europian, në vend të fundit renditet Rumania, me një normë pranë rreth 59%. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor ndërkohë regjistrojnë një normë më të lartë se Shqipëria. Për Kosovën nuk ka të dhëna.
Islanda dhe Norvegjia ndërkohë janë dy vendet e para në Europë në këtë renditje, me 95% të përdoruesve të internetit, që e shfrytëzojnë atë për t`u informuar.
Le të shohim disa të dhëna për këtë tregues dhe nënindikatorët për vendin tonë më në detaj. Norma prej 58% e përdorimit të internetit për t`u informuar mes përdoruesve i referohet moshës 16-74 vjeç, ndërkohë që po t`i referohemi të gjitha grupmoshave, treguesi zbret në 46%. Ndër të tjera, anketa tregon se vetëm 58% e shqiptarëve e përdorin internetin. Kjo sinjalizon se vetëm 1 në 4 shqiptarë në total e përdor internetin për t`u informuar (pra, jo vetëm mes përdoruesve). Nga ana tjetër, të dhënat tregojnë se përdorimi i internetit në tërësi është më i ulët te fermat se sa te meshkujt. E njëjta gjë vlen edhe për përdorimin e internetit për t`u informuar, ku te meshkujt norma fiksohet pranë 50% dhe te femrat pranë 43%, në total. Edhe sa i përket nivelit të arsimit të përdoruesve, diferencat janë të mëdha, me 27% te ata me arsim të ulët, 52% te ata me arsim të mesëm dhe 76% te ata me arsim të lartë. Te studentët apo ata me arsim të lartë përdorimi i internetit për t`u informuar është jo vetëm ndjeshëm më i lartë se mesatarja kombëtare, por edhe se disa vende të tjera të kontinentit të vjetër.
Të dhënat vijnë në formën e një anketimi dhe të anketuarit pyeten nëse e kanë përdorur internetin për t`u informuar nga mediat në tërësi, mediat vetëm online, revistat, etj gjatë 3 muajve të fundit përpara sondazhit.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments