Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal ka publikuar së fundmi anketën e parë për opinionin publik për ‘çështjet e sigurisë’ të kryera midis qytetarëve të Ballkanit Perëndimor (SECURIMETER). Kjo anketë sjell më në pah problemet që lidhen me çështjet e sigurisë si dhe qëndrimet e qytetarëve ndaj sfidave të ardhshme në nivel individual dhe rajonal. Anketa paraqet 47 pyetje në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar, sigurisë së kufirit, zotërimit të armëve, trafikimit, imigrimeve të paligjshme, dezinformimit, lajmeve të rreme dhe shumë më tepër. Ky sondazh është kryer në periudhën 28 Janar-19 Shkurt të vitit 2021 midis 6,046 qytetarëve të shpërndarë, 1016 në Shqipëri, 1015 në Bosnjë dhe Hercegovinë, 1004 qytetarë në Kosovë, 1001 në Mal të Zi, 1007 në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe 1003 në Serbi.
“Scan Intelligence Unit” ka analizuar të dhënat e anketës mbi krimin financiar si dhe perspektivat për tre vitet e ardhshme. Të pyetur për opinionin e tyre mbi rëndësinë e adresimit të sfidave për sigurinë e brendshme të ekonomive të vendeve të Ballkanit Perëndimor, shohim se vetëm 1 përqind e shqiptarëve mendojnë se kjo nuk është aspak e rëndësishme. Përqindjen më të madhe për këtë kategori e ka Kosova me 12%. 9% e shqiptarëve kanë thënë se kjo nuk është dhë aq e rëndësishme. 21% janë shprehur se është mjaft e rëndësishme dhe 59% kanë thënë është shumë e rendësishme. Maqedonia e Veriut është vendi i cili ka përqindjen më të madhe të qytetarve të cilët mendojnë se adresimi i sfidave për krimet financiare është shumë i rëndësishëm. Përqindjen më të vogël për këtë kategori e ka Kosova me 49%.
Të pyetur nëse sfidat për sigurinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor mbi krimin financiar ka të ngjarë të rriten, zvogëlohen ose të mbeten të pandryshuara gjatë tre viteve të ardhshme, 29% e shqiptarëve janë shprehur pesimistë, 18% e tyre mendojnë se do të ulen, një diferencë me 1 pikë përqindje krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor në total. 49% janë shprehur se sfidat do të mbeten të pandryshuara. Më optimistët për këtë pyetje, të cilët shprehen se sfidat do të vijnë duke u ulur, janë qytëtarët e Malit të Zi me 27%.
Nga të dhënat e përgjithshme, rajoni e sheh shumë të rëndësishme të punojë për adresimin e sfidave të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, të tilla si lufta ndaj terrorizmit, lufta ndaj krimit të organizuar lufta për siguri financiare si dhe forcimi i sigurisë kufitare, në mënyrë që të sigurojë sigurinë e brendshme të rajonit.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments