Raporte

Shpejtësia e internetit në Shqipëri/ Problem për biznesin dhe familjet, rrjeti fiks më i ngadaltë se në celular

0

Indeksi i shpejtësisë globale të internetit (Speedtest Global Index) e rendit Shqipërinë të 50-tën në botë, ndër 139 shtete sa i përket shpejtësisë së internetit në celular dhe të 88-tën në botë, ndër 182 shtete sa i përket shpejtësisë së internetit me brez të gjerë, ose internetit fiks, që shumëkush mund të ketë në shtëpi apo në ambientet e punës. Në kushtet kur në vendin tonë 98,5% e ndërmarrjeve ekonomike me 10 e më shumë të punësuar përdorin një kompjuter në zyrë për qëllime pune, vonesat përkthehen në mungesë efiçense për biznesin dhe familjet shqiptare. Referuar një publikimi të Institutit të Statistikave për vitin 2021, 98,1 % e ndërmarrjeve kanë përdorur një lidhje fikse në internet të tipit ADSL,SDSL, VDSL, fibër optike (FTTP), teknologji kabllore, ndërkohë që 90,5% e ndërmarrjeve kanë patur shpejtësinë e shkarkimit të informacionit më të lartë se 10 Mbps.

Ajo që bie në sy nga shifrat, është fakti se interneti që ofrohet për përdorim në aparatin celular është më i shpejtë se ai që ofrohet për shërbimin fiks. Këto të dhëna, vihen re si në renditjen globale të të dy indikatorëve, ashtu dhe nga shpejtësia mesatare e ngarkim-shkarkimit të një materiali, nga ku duket se është celulari ai që fiton “garën”, tendencë kjo krejt e kundërt me atë globale. Kështu, mesatarja globale tregon se interneti me brez të gjerë, ose më thjeshtë, interneti në shtëpi është plot dy herë më i shpejtë se ai që ofrohet për aparatet e telefonisë lëvizëse. Në shpejtësinë e internetit në celular, Shqipëria është 33% mbi mesataren globale, ndërkohë që në atë të rrjetit fiks është 56% nën mesataren globale.

Speedtest Global Index është krijuar nga Ookla një kompani me seli në Seattle, që ofron pikërisht analiza globale rreth aksesit në internet për shumë vende anembanë botës. Më konkretisht ky tregues mat shpejtësinë e internetit në celular dhe fiks, performancën e pajisjeve ndihmëse apo cilat janë vendet që ofrojnë internetin me shpejtësinë më të lartë në botë sa i përket ngarkim-shkarkimit të materialeve. Megjithëse shpejtësitë e ulta nuk ndikojnë në leximin e një teksti për individët, ato përbëjnë një shqetësim serioz në rastin e bizneseve në ngadalësim të hapjes skedarëve, paraqitjes së prezantimeve apo videove në procesin e punës, çka tregon qartë se në këtë drejtim, ka ende shumë hapësira për përmirësim.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Dhuna na kushton $2.6 miliardë në vit/ Në Shqipëri kosto fiksohet në $1,542 për frymë, sa 6% e PBB

Postimi mëparshëm

Turistë ka, e konfirmojnë shifrat! Në Qershor, 39% më tepër të huaj se në vitin 2019, niveli më i lartë në 5 vite

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.