“Scan Intelligence Unit” ka përpunuar të dhënat e publikimit më të fundit të “Agjencisë Europiane të Statistiksve” mbi aktivitetet e individëve në internet. Mes shumë të dhënave të tjera, një ndër to është edhe informacioni që mund të marrin individët online lidhur me kujdesin shëndetësor. Ky publikim vjen në formën e një ankete, ku bën pjesë dhe vendi ynë. Shifrat tregojnë se gjatë vitit 2021, 48% e shqiptarëve kanë kërkuar informacion mbi shëndetin online. Krahasuar me vitin 2020, ky tregues ka pësuar rritje me 7 pikë përqindje. Që nga viti 2018-të kur “EUROSTAT” disponon të dhëna për vendin tonë, ky tregues ka ardhur duke u rritur gradualisht, nga 30%, në 48%. Megjithatë, rritjen me të madhe e regjistron nga viti 2020, në vitin 2021 dhe kjo shihet të jetë pasojë e nevojës për t’u informuar mbi pandeminë e shkaktuar nga Covid-19. Mesatarja e Bashkimit Europian, gjatë vitit 2021, për personat të cilët kanë kërkuar informacion shëndetësor online është 55%.
Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria renditet e parafundit, ndërsa në fund gjejmë të pozicionuar Bosnje Hercegovinën, me 45% të individëve që janë informuar online mbi shëndetin. Në vend të parë me përqindjen më të lartë renditet Serbia, me 56%, ndjekur nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi me nga 50% secili vend. Nëse do ta krahasonim me vendet e Europës, Shqipëria renditet ndër të fundit. Përqindjen më të ulët të individëve që kanë kërkuar informacion shëndetësor online mes vendeve të Europës e ka Bullgaria, me 36%, ndjekur nga Rumania dhe Gjermania, me 40% dhe 45% përkatësisht. Në vend të parë me përqindjen më të lartë është Finlanda, e cila regjistron 80% të individëve që kanë përdorur internetin për të kërkuar informacion shëndetësor online gjatë vitit 2021.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments