Sociale

Shqipëria, vendi më i palumtur në rajon/ “Raporti Global i Lumturisë 2022”, jemi të 90-tët në botë, Kosova e 32-ta

0

Shqipëria renditet në vendin e 90-të në botë ndër 146 vende sa i përket lumturisë, thotë “Raporti Global i Lumturisë 2022”. Krahasuar me raportin e vitit të kaluar, vendi ynë ka fituar 3 pozicione në renditjen globale, pasi një vit më parë renditej në vendin e 93-të në botë, por, ndër 149 shtete. Edhe në pikëzim, Shqipëria është përmirësuar lehtë, duke kaluar nga 5117 pikë, në 5199 pikë. Kujtojmë se raporti i referohet periudhës 2019-2021. “Raporti Global i Lumturisë” është një publikim i përvitshëm, i financuar dhe mbështetur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Ky raport merr në konsideratë faktorë si Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë, perceptimi i korrupsionit, mbështetja sociale, apo jetëgjatësia. Renditja e dobët e Shqipërisë merr shtysë kryesisht nga mbrojtja sociale, perceptimi i korrupsionit dhe bujaria.

Sa i përket krahasimit me vendet e tjera të rajonit, shqiptarët në Shqipëri duket të jenë më të palumturit, pasi mbajmë vendin e fundit, së bashku me Maqedoninë e Veriut, me pikë të barabarta. Krahasuar me vendet e tjera europiane ndërkohë, vetëm qytetarët e Ukrainës, Gjeorgjisë, Turqisë dhe Azerbaixhanit duket të jenë më të palumtur se shqiptarët, bazuar në këtë raport. Kosova ndërkohë mban vendin e parë në rajon, duke u renditur e 32-ta në botë, vetëm një pozicion poshtë Italisë dhe në pozita më të mira se vende si Malta, Kroacia, Qipro, etj.

Në nivel global ndërkohë, vendin e parë vijon ta mbajë Finlanda. Danimarka konfirmon vendin e dytë si shteti më i lumtur në botë, ndërkohë që në vend të tretë është ngjitur Islanda, duke i “rrëmbyer” një pozicion në renditje Zvicrës. Zimbabwe, Libani dhe Afganistani ndërkohë janë vendet më të palumtura në botë.

KLIKONI KETU PER RAPORTIN E PLOTE

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shërbimet rriten në shitje, punë dhe paga/ Hotelet dhe agjencitë e udhëtimit me rritjen më të madhe, deri në 169%

Postimi mëparshëm

70% më shumë kërkesa për azil/ Shqipëria, vendi me numrin më të lartë të azilkërkuesve europianë gjatë vitit 2021

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.