Shqipëria ka rënë me katër pozicione në renditjen globale të qëndrueshmërisë energjitike për vitin 2021. Këtë tregojnë të dhënat më të fundit të Indeksit Global të Energjisë, të publikuar nga Këshilli Botëror i Energjisë. Gjatë vitit të kaluar vendi ynë gjendej i pozicionuar në vend të 43-të, ndërkohë që këtë vit renditet në vend të 47-të. “World Energy Trilemma Index” ka për qëllim të masë qëndrueshmërinë energjetike të një shteti duke u bazuar në tre shtylla kryesore: sigurinë energjetike, barazinë dhe qëndrueshmërinë ambientale.
Indeksi Global i Energjisë, 2021
Tre shtyllat e Indeksit Global të Energjisë
Po le të shohim si paraqitet Shqipëria në nivel rajonal. Të dhënat tregojnë se vendi ynë edhe pse ka pësuar rënie në renditje, përsëri ka mundur të lërë pas të gjitha vendet e rajonit përfshirë dhe Turqinë, Armeninë dhe Moldavinë. Mali i Zi renditet pas vendit tonë duke u pozicionuar i 55-ti në indeks. E treti në renditje vjen Serbia, ndjekur nga Maqedonia e Veriut dhe nga Bosnje Hercegovina. Të dhënat e indeksit sa i përket qëndrueshmërisë ambientale, tregojnë se Shqipëria vazhdon të mbetet në listë si ndër përformuesit më të mirë.
Indeksi Global i Energjisë, 2021
Qëndrueshmëria ambientale
Po të flasim në nivel global, vendet e OECD vazhdojnë të dominojnë. Suedia, Zvicra dhe Danimarka kryesojnë listën e Këshillit Botëror të Energjisë duke zënë tre vendet e para, ndërsa nga fundi i renditjes kemi Kongon, Beninin dhe Nigeri. Raporti gjithashtu thekson se pandemia ka goditur rëndë këtë sektor, por gjithashtu nga ana tjetër ka sjellë ndërgjegjësim mbi energjinë. Nga ana tjetër janë shumë familje të varfra të goditura financiarisht nga pandemia, dhe politikbërësit duhet të jenë më të vetëdijshëm për rëndësinë e adresimit të varfërisë energjetike. Siguria energjetike është një ndër treguesit më të rëndësishëm të një vendi, jo vetëm për shkak të nevojave në sektor, por sidomos pasi përkthehet në paqëndrueshmëri fiskale, sidomos sot, kur duket se po troket kriza energjetike.
Indeksi Global i Energjisë, 2021
Klikoni këtu për të parë raportin e plotë
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments