Ekonomi

Inflacioni ngjitet në 2.5%, – Norma më e lartë në gati 5 vite, ushqimet “udhëheqin” shtrenjtimin e çmimeve

0

Norma e inflacionit ka arritur në 2.5% gjatë shtatorit, tregojnë shifrat më të fundit mbi indeksin e çmimeve të konsumit të bëra publike nga Instituti i Statistikave. Kjo është norma më e lartë që prej janarit të vitit 2017. Muajin paraardhës, në gusht të këtij viti, inflacioni fiksohej në 2.4%, ndërsa në qershor pranë 2.2%. Shtatori është muaji i tretë me radhë me normën e inflacionit në rrije. Kështu, rritja e çmimeve të konsumit prej 2.5% gjatë shtatorit të këtij viti, krahasuar me shtatorin e një viti më parë, i mëshon edhe më shumë tendencës për një rritje të çmimeve të konsumit në vendin tonë. Krahasuar me muajin guaht ndërkohë, çmimet e konsumit rezultojnë të jenë 0.5% më të shtrenjta. Ndërkohë, në shtator të vitit të kaluar, norma e inflacionit në vend fiksohej në 1.5%, pra 1 pikë përqindje nën nivelin aktual.

Shifrat tregojnë se kontributin kryesor në rritjen e çmimeve vijon ta japi grupi i “ushqimeve dhe pijeve joalkoolike”, me 1.6 pikë përqindje, duke kontribuar me më shumë se 60% në rritjen e çmimeve gjatë shtatorit. Më pas ndjekin çmimet e transportit, me një kontribut prej 0.24 pikë përqindje në normën e inflacionit gjatë shtatorit. Asnjë prej grupeve kryesore nuk kanë dhënë kontribut negativ. Përjashtim bën vetëm grupi “mallra dhe shërbime të tjera”, me një kontribut negativ prej 0.01 pikë përqindje.

E njëjta panoramë duket po t`i shohim grupimet kryesore se si janë luhatur çmimet në harkun e një viti, pra nga shtatori 2020, në shtatorin e këtij viti. Rezulton se, çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike janë shtrenjtuar me 4.6%, ndërkohë që ndjek transporti, me 4.5% rrritje vjetore të çmimeve. Komunikimi ndërkohë, regjistron rritjen e 3-të më të madhe të çmimeve mes grupimeve, me 3% në terma vjetorë. Edhe grupi i veshjeve dhe këpucëve regjistron një rritje të ndjeshme, prej 1.9%, sinjalizojnë shifrat zyrtare nga Instituti i Statistikave. Edhe në terma mujorë, pra krahasimi me gushtin e këtij viti, tregon se ushqimet dhe pijet joalkoolike, së bashku me veshjet dhe këpucët, regjistrojnë rritjen më të madhe, me nga 1.1%.

Ndërkohë, po t`i zbërthejmë këto grupime, vëmë re detaje të tjera sa i përket përmasave të rritjes së çmimeve në vend sipas nën-kategorive. Kështu në grupimin e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, shohim se vetëm kategoria e ushqimeve regjistron 4.9% rritje. Mes ushqimeve ndërkohë, bien në sy zarzavatet, rreth 13.6%. Nga ana tjetër, rritja e çmimit të bukës është reflektuar edhe në shifra, pasi buka dhe drithërat rezultojnë 4.7% më të shtrenjta se e njëjta periudhë e një viti më parë. Kjo normë prej 4.7% shënon një rekord të ri për këtë kategori.

Ndërkohë, brenda ushqimeve, vajrat rezultojnë 6.6% më të shtrenjta, ndërsa frutat 4.1% më të shtrenjta se shtatori i një viti më parë.

Ndërkohë, për të tretin muaj me radhë regjistrohen në rritje të ndjeshme çmimet e shërbimit të sërvisit të makinave. Gjatë shtatorit, rritja vjetore fiksohet pranë 6.3%.
Nga ana tjetër, vetëm pak ditë më parë, Banka e Shqipërisë, nëpërmjet Guvernatorit Sejko paralajmëroi për rritjen e presioneve inflacioniste, duke nënvizuar se rritja e çmimeve mund të detyrojë institucionin të shtrëngojë politikat monetare.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shqipëria, hapa pas me energjinë, – Raporti i Këshillit Botëror të Energjisë, humbet 4 pozicione në renditjen globale të qendrueshmërisë energjetike

Postimi mëparshëm

Pandemia i dha “hov” parasë jashtë sistemit, – Gjatë krizës u rrit me një hap dy herë më të shpejtë se para saj

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.