Organizata e Kombeve të Bashkuara ka përditësuar të dhënat e popullsisë globale, ku veç të tjerash gjenden edhe projeksionet e popullsisë së secilit shtet, deri në vitin 2100, bazuar në tendencën e viteve të fundit. Si do jetë Shqipëria e 2100-ës sipas këtyre projeksioneve nga OKB? Në skenarin bazë, popullsia e Shqipërisë projektohet pranë vetëm 1.1 milionë banorëve, nga rreth 2.8 milionë që është sot, pra më shumë se përgjysmim, si rrjedhojë e emigrimit të lartë dhe normave të ulta të lindjeve. Duke qenë se emigracioni është kryesisht një fenomen i përhapur të grupmoshat më të reja, atëherë edhe plakja e popullsisë duket e paevitueshme. Por, ky është skenari bazë. Skenari më pesimist flet për një popullsi të Shqipërisë prej vetëm 569 mijë banorësh në 2100-ën, ndërkohë që skenari më optimist flet për rreth 1.8 milionë banorë. Por, analizën për Shqipërinë dhe krahasimin me rajonin do ta bëjmë sipas skenarit bazë.
Kështu, veç popullsisë, projeksionet tregojnë se mosha mediane në Shqipëri në 2100-tën do të jetë 63 vjec, nga 37 që është sot, ndërkohë që jetëgjatësia mesatare projektohet pranë 90 vjeç, nga 76 vjeç që vlerësohet sipas OKB në 2022-shin.
“Scan Intel” I ka përpunuar dhe analizuar të dhënat bruto të raportit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara duke bërë një krahasim edhe me rajonin, për të kuptuar se në çfarë pozitash do të jetë Shqipëria por dhe Kosova në vitin 2100. Nga kjo analizë të dhënash, bazuar në projeksionet rezulton se Shqipëria do ta humbasë garën në rajon. Kështu, me një popullsi të projektuar pranë 1.1 milionë banorësh, vendi ynë do të ketë një popullatë edhe më të ulët se Maqedonia e Veriut, e projektuar panë 1.2 milionë banorëve. Sot, Shqipëria ka popullsinë e 3-të më të madhe në rajon, pas Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës, ndërkohë që në 2100-tën projektohet të jetë në vend të 4-tët, me Maqedoninë e Veriut në vend të 3-të. Sot, Shqipëria bashkë me Kosovën përfaqësojnë rreth 26% të popullsisë së Ballkanit Perëndimor, ndërsa në 2100-tën, kjo nomë projektohet të zbresë pranë rreth 23.7%. Sa I përket moshës mediane të popullsisë, sot Shqipëria renditet në vend të dytë në rajon, pas Kosovës, si vendi me popullsinë më të re, ndërkohë që në 2100-tën do të jetë vendi më I plakur në rajon. m,adje, në vend të dytë si vendi me popullsinë më të plakur në rajon parashikohet të jetë Kosova në vitin 2100-të. Sot, Shqipëria ka normën e 3-të më të lartë të fertilitetit në rajon, dhe në 2100-tën pritet të ketë normën e 4-tët më të ulët.
Pra, shifrat flasin qartë. Pavarësisht se janë të bazuara në projeksione, këto të fundit I referohen tendencës së viteve të fundit. Pra, në rast se situata do të vazhdojë ashtu sikurse është sot, me norma të ulta lindshmërie dhe emigracion të lartë, atëherë Shqipërinë, shekulli I ardhshëm do ta gjejë me një popullsi më shumë se të përgjysmuar, thuajse dy herë më shumë të plakur, dhe me një pozicion të përkeqësuar në rajon. Problematikat e mëdha që evidentohen sot, kryesisht nga biznesi, të paktën sa I përket krahut të punës, pritet të thellohen edhe më tej. Pra, sirenat e alarmit kanë rënë, madje fuqishëm. Pa politika sociale dhe ekonomike të mirëorientuara, vendi ynë pas rreth 80 vitesh do të vuajë një sërë problematikash si pasojë e këtyre ndryshimeve rrënjësore demografike.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments