Gjatë vitit 2021 vlera mesatare e kartëmonedhave në qarkullim është rritur me rreth 8%, duke u ngjitur në 2,421 lekë, nga 2,242 lekë që ishte në vitin 2020, tregojnë të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë. Këto të dhëna tregojnë gjithashtu se, vlera e kartëmonedhave në qarkullim është rritur me 22.5 mld lekë, ose 6.4% në terma vjetorë, por ka rënë si njësi, me 1.4%, ose 2.2 milionë kartëmonedha më pak. Kjo tendencë vjen si pasojë e politikës së Bankës së Shqipërisë në favor të kartëmonedhave me vlerë nominale të lartë dhe futjes në qarkullim edhe të kartmonedhës me vlerë 10,000 lekë. Në total, deri më 31 dhjetor të vitit të kaluar, në Shqipëri qarkullonin rreth 154 milionë copë kartëmonedha, për një vlerë prej 372.2 mld lekësh.
Nga ana tjetër, sa i përket monedhave, ato regjistrohen në rritje, si në vlerë ashtu edhe në njësi, me 241 milionë copë në qarkullim, kundrejt 226 milionëve në vitin 2020, për një vlerë prej 5.96 miliardë lekësh. Në vitin 2020, monedhat në qarkullim kishin një vlerë prej 5.58 mld lekësh.
Ndërkohë, sa i përket strukturës së kartëmonedhave në qarkullim, të dhënat tregojnë se përgjatë vitit 2021, thuajse 1/3 e tyre, ose 32.6% është në prerjen 5,000 lekëshe, rreth 22.7% në atë 2,000 lekëshe, 20.8% në kartmonedhën 1,000 lekëshe, 12.6% në atë 500 lekëshe, 10.3% në atë 200 lekëshe dhe vetëm rreth 1% në prerjen më të lartë, me vlerë 10,000 lekëshe. Krahasuar me vitin 2020, struktura e kartëmonedhave në qarkullim ka pësuar ndryshime të lehta, në favor të prerjeve më të mëdha.
Sa i përket qarkullimit dhe riciklimit të kartëmonedhave ndërkohë, shifrat e Bankës së Shqipërisë tregojnë një koeficent kthimi në 0.61, çka do të thotë se çdo 10 kartëmonedha, 6 prej tyre kthehen brenda vitit në sportelet e bankës. Ky koeficient rezulton më i lartë për prerjet 500 Lekë dhe 1000 Lekë rreth 1.27 dhe rreth 0.94 respektivisht, dhe më i vogël për prerjen 5000 Lekë, rreth 0.16, gjë që tregon se këto të fundit kthehen më rrallë në sportelet e BSH-së.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments