Shkollimi është padiskutim një prej elementëve më thelbësor të mirëqënies së një individi dhe të një familje. Këtë gjë e tregojnë edhe shifat më të fundit nga Instituti i Statistikave në “Vjetarin statistikor rajonal 2021”, ku në sy, veç të tjerash bien edhe disa shifra mjaft alarmante. Në thuajse çdo qark të Shqipërisë, me përjashtim të kryeqytetit, pra në 11 nga 12 qarqe, më shumë se 50% e familjeve kanë një kryefamiljar vetëm me arsim 8/9 vjeçar. Pra, në më shumë se gjysmën e familjeve shqiptare në 11 qarqe të vendit, kryefamiljari nuk ka as arsim të mesëm. “Scan Intelligence Unit” ka analizuar dhe përpunuar shifrat për t`i dhënë përgjigje një pyetje: Sa vlen shkollimi në Shqipëri? Analiza është bazuar mbi shifrat e konsumit të familjeve sipas shkollimit të kryefamiljarit. Konsumi mesatar i një familje shqiptare ku kryefamiljari ka vetëm arsimin e detyrueshëm, pra atë 8/9 vjeçar, fiksohet në 69 mijë lekë në muaj, ndërsa për ato familje ku kryefamiljari ka arsim të mesëm, rreth 82 mijë lekë. Shifra ngjitet në rreth 100 mijë lekë për familjet ku kryefamiljari ka arsim të lartë. Pra, në terma më të thjeshtuar, arsimi i mesëm vlen rreth 13 mijë lekë shtesë konsumi në muaj, ndërsa arsimi i lartë rreth 34 mijë lekë në muaj.
Tani, le ta shohim situatën sipas qarqeve, pasi edhe këtu vemë re diferenca të ndjeshme. Qarku ku shkollimi duket të ketë më shumë vlerë është ai i Shkodrës, ku familjet me kryefamiljarin që ka mbaruar arsimin e mesëm konsumojnë rreth 13 mijë lekë më shumë në muaj se ata me arsim të detyrueshëm, dhe ata me arsim të lartë rreth 64 mijë lekë më shumë në muaj se ata me arsim të detyrueshëm. Më pas ndjek Qarku i Lezhës, ku arsimi i mesëm i vlen një familje rreth 18 mijë lekë konsum shtesë në muaj, ndërsa ai i lartë rreth 51 mijë lekë në muaj. Në vend të tretë kemi Tiranën, me arsimin e mesëm të kryefamiljarit që sjell rreth 16 mijë lekë në muaj shtesë konsumi, dhe me arsimin e lartë rreth 48 mijë lekë. Lista vijon me Beratin, Durrësin dhe Korçën. Tre vendet e fundit ndërkohë, aty ku shkollimi vlen më pak, janë: Elbasani, Kukësi dhe Dibra. Në Elbasan arsimi i mesëm vlen vetëm 5894 lekë në muaj konsum shtesë, dhe ai i lartë rreth 18 mijë lekë. Në Kukës arsimi i mesëm vlen vetëm 3500 lekë dhe ai i lartë rreth 16 mijë lekë. Dibra e vendit të fundit ndërkohë e vlerëson arsimin e mesëm rreth 10 mijë lekë në muaj, ndërsa arsimin e lartë vetëm 12 mijë lekë në muaj. Por, kemi një qark që ka edhe një paradoks mjaft të madh dhe ai është qarku i Vlorës. Vlora si qark, arsimin e mesëm e vlerëson më shumë se çdo qark tjetër i Republikës, me një diferencë konsumi për familje prej rreth 21 mijë lekësh në muaj, por, krejt paradoksalisht, nuk e vlerëson aspak arsimin e lartë, përkundrazi. Në Vlorë, familjet ku kryefamiljari është me arsim të lartë, konsumojnë më pak në muaj se ato familje ku kryefamiljari është me arsim të mesëm, me një diferencë prej rreth 1622 lekësh në muaj.
Pra, jemi përballë dy fakteve; atë se në 11 qarqe nga 12 në vend, familjet ku kryefamiljari është vetëm me arsim 8/9 vjeçar janë më shumë se 50%, dhe atë se familjet ku kryefamiljari ka të pakën arsim të mesëm, konsumi mujor rritet me 19.5%, dhe në ato me arsim të lartë me rreth 50%. Ndoshta ka ardhur momenti që debatet mbi bërjen të detyrueshëm të arsimit të mesëm të marrin trajta më serioze.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments