Paga mesatare në Shqipëri është ndër më të ultat në Europë. Sipas të dhënave të fundit nga Instituti i Statistikave, në tremujorin e tretë të vitit që lamë pas, paga mesatare bruto në vendin tonë fiksohej në 52.185 lekë në muaj. Neto, përkthehet në 43.934 lekë në muaj. Pra, kjo është shuma mesatare që ka në dispozicion në muaj një shqiptar mesatar për të shpenzuar, apo edhe kursyer. Në orë, me 174 orë pune në muaj, kjo pagë përkthehet në 252 lekë në orë. Për pagën minimale, me ndryshimin e ri, pagesa për orë pune fiksohet në 172 lekë. Sa orë pune duhen për të paguar disa prej prej produkteve apo shërbimeve normale të një shqiptari mesatar? “Scan Intelligence Unit” ka përpunuar të dhënat e institutit të statistikave për të dalë në disa përfundime. Për të blerë një bukë masive, 80 lekëshe, një shqiptar mesatar duhet të punojë 19 minuta në ditë, ndërsa për një kilogram mish do t`i duheshin rreth 3 orë punë. Për ata që paguhen me pagë minimale, buka vlen 28 minuta punë ndërsa mishi plot 4.36 orë, pra pak më shumë se gjysëm dite. Një biletë kinemaje apo një picë, një shqiptari mesatar do i kushtojë 2.38 orë pune, ndërsa një abonim mujor palestre, prej 4 mijë lekësh,plot 15.8 orë pune, thuajse dy ditë. 23.2 orë pune i kushton palestra në muaj dikujt që paguhet me pagë minimale. Për të paguar një abonim celulari mujor ndërkohë (paketë), duhet thuajse një ditë pune, më saktësisht 7.93 orë pune.
Po për të blerë një shtëpi, sa orë pune i duhen një shqiptari mesatar? Plot 500 të tilla për një metër katror në Tiranë. Për një shtëpi mesatare, rreth 80 metra katrorë, duhen plot 40 mijë orë pune. Për një makinë te re ndërkohë, me një vlerë mesatare rreth 15 mijë euro, do të duheshin rreth 7425 orë pune.
Po në rast se një shqiptar mesatar do të donte të blinte modelin më të fundit të iPhone, sa orë do të duhej të punonte? Plot 601 orë!
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments