Kërcënimi i një konflikti të mundshëm ushtarak në Europë, me përfshirjen e një prej fuqive më të mëdha të Botës, si Rusia, ka rikthyer vëmendjen të fuqia ushtarake e shteteve. Shqipëria prej më shumë se një dekade është pjesë e NATO-s, një pakti që ofron garanci në rast të ndonjë sulmi të mundshëm nga fuqi të huaja. Por, pavarësisht kësaj, sa është fuqia reale ushtarake e vendit tonë? Një prej indikatorëve më të rëndësishëm të potencialit ushtarak të një vendi i referohet pikërisht shpenzimeve për mbrojtjen. “Scan Intelligence Unit” ka analizuar shifrat e një prej institucioneve më me peshë në nivel global në drejtim të industrisë së mbrojtjes, që është “Instituti Ndërkombëtar për Kërkim dhe Paqe i Stockholmit” (SIPRI). Ky institut radhit pjesën dërrmuese të vendeve të globit bazuar në shpenzimet për mbrojtjen. Ne do të analizojmë këto shpenzime për vitin 2020, të cilat janë të dhënat e fundit publike në nivel global, për frymë, të shprehura në dollarë sipas kursit të këmbimit të përditësuar. Nga këto të dhëna rezulton se shpenzimet e Shqipërisë për mbrojtjen në vit fiksohen në $77.2 për frymë. Por si na pozicionon në rajon kjo shifër? Më mirë se Kosova, me $42 për frymë, Bosnje Hercegovina me $51 për frymë apo Maqedonia e Veriut me $76 për frymë, por në pozita më të dobëta se Mali i Zi, me rreth $162 për frymë apo Serbia me rreth $128 për frymë.
Po krahasuar me vendet e tjera të Europës? Veç tre vendeve të Ballkanit Perëndimor, në Europë vetëm Gjeorgjia raporton një shifër më të ulët se vendi ynë, çka do të thotë se në drejtim të shpenzimeve për mbrojtjen në raport me popullsinë jemi ndër 4 vendet e fundit në kontinentin e vjetër.
Në nivel global ndërkohë, Izraeli renditet i pari, me rreth $2500 dollarë për frymë në vit, ndjekur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me rreth $2355 për frymë dhe më pas Arabia Saudite dhe Kuvajti. Rusia ndërkohë renditet e 30-ta në botë, me rreth $422 për frymë, ndëra Ukraina në vendin e 62-të, me rreth $135 për frymë.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments